Policët e shtrirë në fshatin Xhepçisht të pasinjalizuara, Rustemi në pritje të projektit
Policët e shtrirë në një nga rrugët më të frekuentuara në vend, rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, konkretisht në fshatin Xhepçisht përmes të cilit kalon kjo rrugë, nuk janë të sinjalizuara siç duhet edhe pse rikonstruimi i rrugës ka përfunduar para më shumë se një vjet, shkruan Portalb.mk. Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, Ejup Rustemi i cili është po nga fshati Xhepçisht thotë se është në “pritje të projektit”.
I pyetur nga gazetarët për policët e shtrirë për të cilët ka ankesa nga ana e banorëve, Rustemi tha se së shpejti do të fillojë realizimi i vendosjes së të gjithë sinjalistikës horizontale dhe vertikale në të gjithë rrugën, nga Tetova deri në Jazhincë – kufirin me Kosovën.
“Në bazë të kërkesave të qytetarëve pasi që në atë rrugë kishte shumë viktima nga mosrespektimi i shenjave të komunikacionit dhe në bazë të kërkesës së qytetarëve i kemi vendosur ata policë të shtrirë. Njëkohësisht kemi përfunduar të gjitha procedurat dhe kemi edhe projektin për shenjat e komunikacionit për tërë rrugën nga Tetova deri në Jazhincë, ajo rrugë është jashtëzakonisht shumë e frekuentuar dhe ajo rrugë kërkon regjim të posaçëm të komunikacionit. Këtë punë jemi duke e bërë, pasi të kemi projektin fillojmë me realizimin dhe vendosjen e të gjithë sinjalistikës edhe horizontale edhe vertikale”, tha Rustemi.
Por, i pyetur nga Portalb.mk se kur do të bëhet kjo, ai nuk u përgjigj.
Kohë më parë për Portalb.mk edhe eksperti i komunikacionit Blerim Neimi pati deklaruar se në këtë rrugë nuk janë të definuara me rregulla dhe norma të standardizuara shenjat të cilat kufizojnë shpejtësinë (pra të ketë fillim të shpejtësisë dhe mbarim të sajë ) ku disa prej tyre janë edhe të dëmtuara edhe nga vetë qytetarët. Ai tha se edhe te pengesat rrugore (gungat) urgjentisht të vendosen shenja lajmëruese për ta, pasi që një pjesë e madhe e vozitësve që janë shtetas të Kosovës nuk e kanë të njohur rrugën.
Sipas të dhënave të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, aksidentet në këtë rrugë janë të shpeshta madje edhe numri i shkeljeve për tejkalim të shpejtësisë së lejuar e cila përbën rrezik shtesë në komunikacion.
Punimet për rikonstruimin e rrugës prej 4.2 kilometrave nga Stadiumi i Tetovës deri në fshatin Xhepçisht filluan shtatorin e vitit 2021, pak para zgjedhjeve lokale të fundit dhe përfunduan në fillim të vitit 2023.
Në të kaluarën për shkak të aksidenteve dhe vdekjeve në këtë rrugë, nga ana e banorëve të vendbanimeve përgjatë kësaj rruge ka pasur edhe protesta në shenjë revolte që autoritetet të marrin masa.
- LEXO: U sanua rruga rajonale Tetovë-Xhepçisht te gjimnazi “7 Marsi”
- LEXO: Lëshime teknike në rrugën Tetovë- Xhepçisht, në një pjesë u largua asfalti për t’u shtruar si duhet (Foto)
- LEXO: Mungon sinjalistika adekuate në Rrugën Tetovë-Jazhincë, 110 aksidente për një vit
- LEXO: Në prag të zgjedhjeve lokale filloi rikonstruimi i rrugës Xhepçisht- Tetovë