Rikonstruimi i Qeverisë sot në rend dite në Kuvendin e RMV-së
Kuvendi pritet të mbajë sot seancën e 112-të, në rend dite të së cilës janë propozimet për shkarkimin e ministrave dhe zëvendësministrave, si dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të Qeverisë, transmeton Portalb.mk.
Seanca vjen pas rindërtimit të paralajmëruar prej kohësh të Qeverisë. Me propozim të kryeministrit Hristijan Mickoski, deputetët duhet të votojnë për shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov nga ZNAM, në vend të të cilit propozohet të emërohet Jeton Shasivari nga VLEN.
Më tej, Ivan Stoilkoviq, kryetar i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni, propozohet të shkarkohet nga posti i ministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, por pritet të marrë detyrën e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale.
Zllatko Perinski, ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale, do të shkarkohet dhe do të marrë detyrën e drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor, ku aktualisht është në krye Sasho Klekovski. Ky i fundit pritet të zgjidhet nga Kuvendi si ministër i ri i Shëndetësisë, në vend të Azir Aliut.
Për ministër të Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive propozohet Agon Ferati nga VLEN. Cvetan Tripunovski do të shkarkohet nga posti i ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, ndërsa në vend të tij do të emërohet Borçe Serafimovski nga ZNAM.
Fatmir Limani pritet të shkarkohet nga posti i ministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa këtë funksion do ta marrë Gjoko Velkovski nga VMRO-DPMNE.
Zoran Ljutkov pritet të shkarkohet nga posti i ministrit të Kulturës dhe Turizmit, ndërsa në vend të tij është propozuar Sedat Sulejmani nga VLEN.
Në vend të Shaban Saliut, ministër pa resor, është propozuar Erxhan Demir nga VMRO-DPMNE.
Në seancë pritet që kryeministri Mickoski të arsyetojë shkarkimin e ministrave, të cilin e kishte paralajmëruar prej një kohe të gjatë.
Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, pas paraqitjes së propozimit për shkarkimin e një anëtari të Qeverisë hapet debat, i cili mund të zgjasë maksimumi dy ditë. Ministri për të cilin është paraqitur propozimi për shkarkim ka të drejtë të deklarohet për propozimin në një fjalim që zgjat deri në 15 minuta.
Ministrat e rinj zgjidhen me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve.
Ndërkohë, kandidati për ministër të Bujqësisë nga radhët e ZNAM-it, Borçe Serafimovski, ka një biografi interesante akademike, pasi në Bullgari ka përfunduar studimet universitare, studimet pasuniversitare dhe ka mbrojtur edhe doktoraturën. Ndërkaq, kandidati për ministër të Kulturës, Sedat Sulejmani, ka qenë aktiv në sektorin civil dhe ka punuar edhe në Ministrinë e Kulturës gjatë qeverisjes së kaluar.
Pozicioni i zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, të cilin e mbante Arben Fetai nga VLEN, nuk do të ekzistojë në qeverinë e rikonstruktuar. Ky funksion do të mbulohet nga kryeministri.