BE kërkon rregulla më të forta për fëmijët në mediat sociale
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për masa më të forta për mbrojtjen e fëmijëve në internet, duke theksuar se provat e paraqitura nga Paneli Special për Sigurinë e Fëmijëve në Internet duhet të shërbejnë si bazë për politikat e ardhshme të Bashkimit Evropian, transmeton Euronews.
Von der Leyen tha se po forcohet mbështetja për vendosjen e një moshe minimale për qasjen në mediat sociale, duke propozuar një qasje të diferencuar sipas grupmoshave. Sipas saj, fëmijët nën moshën 13 vjeç duhet të kenë akses në platformat sociale vetëm nën mbikëqyrjen e të rriturve dhe për periudha të kufizuara.
“Mediat sociale nuk janë lodër”, deklaroi ajo, duke paralajmëruar se lejimi i kompanive të mëdha të teknologjisë për të pasur qasje të pakufizuar te fëmijët mund të çojë në më shumë probleme të shëndetit mendor, varësi dhe pasoja të tjera psikologjike.
Sipas të dhënave të paraqitura, të rinjtë kalojnë mesatarisht katër deri në gjashtë orë në ditë para ekraneve, ndërsa afro 60% e fëmijëve kanë përjetuar probleme emocionale ose psikosociale gjatë përdorimit të internetit.