Para se të investohet në Kodrën e Diellit, duhet të miratohet ligj i veçantë për të cilin ende nuk ka grup punues

Aktivitetet për investimin e paralajmëruar në Kodrën e Diellit po ecin me hapa të breshkës. Ende nuk është formuar grupi operativ, i cili, siç thonë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) do të hartojë Ligjin për Investime Strategjike. Pas miratimit të ligjit, do të mund të nënshkruhet marrëveshja me investitorin e interesuar italian “TechnoAlpin, shkruan Portalb.mk.

Ndryshimi i ministrave si pasojë e ristrukturimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut siç duket, ka pasur ndikim në vazhdimin e procesit për investimin në Kodrën e Diellit.

Pasi që më nuk janë të njejtët anëtarë në Qeveri, në procedurë është përpilimi i një grupi të ri operativ i cili do t’i qaset hartimit të ligjit të posaçëm për Investime Strategjike, bëjnë të ditur për Portalb.mk, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

“U formua një grup operativ nga ministritë përkatëse, por për shkak të ndryshimeve politike, një pjesë e anëtarëve nuk janë në Qeveri, prandaj në procedurë është përpilimi i një grupi të ri operativ i cili pas marrjes së vendimeve për emërim, do t’i qaset hartimit të Ligjit për Investime Strategjike. Prandaj funksionalizimi i projektit vonohet”, thanë nga MMJPH.

Por, të pyetur për atë se nëse ka ndonjë afat të caktuar për këtë procedurë, nga atje thanë se nuk ka.

MMJPH bën të ditur se nënshkrimi me kompaninë e interesuar italiane “TechnoAlpin” do të bëhet pasi të specifikohen të gjitha detajet dhe pasi ligji për Investime Strategjike, të miratohet nga Kuvendi.

Nga ana tjetër, investitori i interesuar “TechnoAlpin” tha se ende pret informacion nga Qeveria e RMV-së se me cilin person nga atje do të komunikojnë për vazhdim të negociatave.

“Fatkeqësisht, nuk ka asgjë të re në lidhje me kërkesën tuaj. Ende nuk kemi marrë informatë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për personin me të cilin duhet të komunikojmë” thanë për Portalb.mk, nga TechnoApin.

Investimin në qendrën e skijimit, para se gjithash, siç njoftuan nga Ministria e Mjedisit është i kushtëzuar me vënien në funksion të gondolës/teleferikut nga Tetova në Kodrën e Diellit, projekt i cili gjatë kohë kërkohet nga qytetarët por që nuk realizohet nga shteti.

TechnoAlpin” në dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Në fazën e parë prioritet pritet të ketë ndërtimi i sistemeve për borë artificiale, pasi planifikohet që sezoni të zgjasë më gjatë dhe jo të varet nga reshjet e borës. Faza e parë e cila kap vlerën prej 55 milionë eurove kap periudhën 2023-2028 ndërsa fazat e tjera (2-7) nga viti 2028 e tutje.

Kohë më parë, u formua kompania e re e cila do të menaxhojë me Kodrën e Diellit me emër “Kodra e Diellit”, por ajo ende nuk është funksionale pasi që nuk kanë mbaruar gjitha procedurat administrative.

Kjo qendër turistike për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe të tjera.