Ndryshimet klimatike pamundësuan fillimin në kohë të sezonit të skijimit në Kodrën e Diellit, Avziu: Humbjet janë rreth gjysmë milioni euro (Video)

Ndryshimet klimatike kanë prekur të gjithë globin. Efektet e kësaj dukurie negative së fundmi po i ndjejnë qendrat turistike në mbarë Evropën. Këtu te ne, kjo ka prekur edhe Kodrën e Diellit, qendrën më të madhe të skijimit në vend. Moti i ngrohtë dhe mungesa e borës pamundësoi fillimin e sezonit të skijimit në kohë, madje i njëjti nuk ka filluar ende. Për atë se si kanë ndikuar ndryshimet klimatike në këtë qendër turistike dhe çfarë pasojash kanë sjellë, në një intervistë për Portalb.mk flet Adem Avziu, drejtor i qendrës turistike Kodra e Diellit.

Intervistoi: Fisnik Xhelili

Kur fillon zakonisht sezoni i skijimit në qendrën rekreative dimërore Kodra e Diellit dhe sa është vonesa vjetore në hapjen e sezonit të skijimit për shkak të motit të ngrohtë dhe mungesës së reshjeve të borës?

“Si zakonisht sezonin e skijimit e fillojmë me 15 dhjetor, dhe realisht tani jemi 18 janar, kemi një muaj e tre ditë vonesë në sezonin e skijimit për shkak të kushteve klimatike, për shkak të ngrohjes globale e cila është prezentë në një pjesë të Evropës dhe kryesisht pjesën e Ballkanit, ku edhe ne bëjmë pjesë si shtet.”

Duke pasur parasysh këto, a keni parashikime se kur mund të fillojë sezoni i skijimit?

“Realisht ditët që lamë pas kishim reshje të borës nga orët e para të mëngjesit bënim përgatitjet e nevojshme në ski terrenet e qendrës së skijimit, me të vetmin qëllim që të ruajmë dhe të kemi në terrenet e skijimit çdo reshje të borës të re që e kemi që të akumulojmë sa më shumë borë në shtigje, me vetë faktin që të kemi hapësirë dhe mundësi që edhe të fillojmë me sezonin turistik. Por, ja që nuk ka premtojnë kushtet klimatike. Dje, nga orët e pasdites kishim reshje të shiut, vazhdojnë edhe sot. Kemi paralajmërime që do kemi reshje bore kualitative nga dita e premte, e shtuna dhe e diela. Me vetë faktin që kishim reshje bore, planifikonim diku nga e shtuna apo e diela të fillojmë edhe me sezonin e skijimit, por do ja lëmë ditëve në vijim të shohim si do jenë kushtet klimatike, çfarë sasie dhe kualiteti të borës do kemi, që të marrim një vendim në lidhje me datën e hapjes së sezonit të turistik.”

Adem Avziu, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sa dëme financiare janë shkaktuar në sezonin aktual nga moti i ngrohtë dhe mungesa e reshjeve të borës në qendrën rekreative dimërore Kodra e Diellit?

“Në bazë të kalkulimeve, në bazë të analizave që ne veç më i kishim bërë për këtë sezon turistik, realisht neve kemi humbje financiare mbi 30 milionë denarë, apo mbi 500 mijë euro.”

Sa është rënia e numrit të vizitorëve në objektet hoteliere në qendrën rekreative dimërore Kodra e Diellit dhe sa është rënia e përdorimit të ski lifteve në sezonin aktual për shkak të motit të ngrohtë dhe mungesës së reshjeve të borës Kodrën e Diellit?

“Të them të vërtetën, para pushimeve të fund vitit të gjitha kapacitetet hotelerike të cilat operojnë në qendrën turistike Kodra e Diellit, ishin të rezervuara, si ashtu edhe kapacitetet e vilave private të cilat ofrohen në këtë qendër turistike. Mirëpo me vetë faktin që nuk kishim sezon skijimi, nuk kishim borë të gjithë ato u prolonguan për një periudhë të ardhshme kur të kemi kushte për të mundur të hapim sezonin turistik. Frekuentimi i turistëve është goxha i madh gjatë vikendeve, marrë parasysh se vikendet që lamë pas ishin me diell, ishin të përshtatshme për të bërë shëtitje panoramike me gjashtëulësen në qendrën tonë. Për këta vikende ka qenë në shërbim teleferiku me gjashtë ulëse dhe ai me dy ulëse.”

A keni ndonjë të dhënë për ndikimin negativ të ndryshimeve klimatike në turizmin e skijimit në qendrën rekreative dimërore Kodra e Diellit në vitet e fundit?

“Neve faktikisht sezonin që lamë pas e kishim më të mirin dhe më të suksesshmin me më shumë borë, patëm një sezon të mirë, patëm kapacitet të madh të dëborës, dhe me fetë faktin që i kishim këto kushte klimatike, patëm rreth 100 ditë sezone skijimi në Kodrën e Diellit. Nuk mund të them se viteve të fundit kemi ndonjë ndryshim ekstrem, por kjo që ndodhi këtë vit ishte e paparashikueshme dhe e paplanifikuar dhe nuk mbahet mend të ketë ndodhur ndonjëherë në Kodrën e Diellit.”

Kodra e Diellit, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sa investim vlerësoni se do të nevojiten në qendrën rekreative dimërore Kodra e Diellit ka për të siguruar fillimin e sezonit të skijimit në kushtet e motit të ngrohtë dhe mungesës së borës?

“Për të filluar sezonin e skijimit në kushte me temperatura më të larta se sa minus temperaturat, nevojitet sistem i borës artificiale, ai lloj investimi fillon nga 1 milionë e gjysmë deri në 3 apo 4 milionë euro, varësisht nga hapësira të cilin duam të përfshijmë dhe mbulojmë me borë artificiale. Duke pasur parasysh kushtet klimatike që kemi pasur këtë sezone, të them të drejtën edhe ai sistem jo çdo herë ndihmon edhe i plotëson të gjitha nevojat e një qendre turistike, pasi që e kemi përvojën dhe e shohim qendrat në rajon të cilat posedojnë sistemin e borës artificiale, edhe ata nuk funksionojnë apo kanë funksionuar në ditë të caktuara nga një javë deri dhjetë ditë në momentin kur ka pasur temperatura minus në vendet e skijimit. Sot morëm lajmin se edhe qendrat turistike në Serbi dhe Bullgari e kanë reduktuar apo e kanë mbyllur tërësisht skiijimin pasi nuk ka kushte të mjaftueshme dhe klima ua ka dëmtuar edhe shtigjet e skijimit.”

Ka investitorë të interesuar për Kodrën e Diellit, ku oferta e tyre përfshin krijimin e borës artificiale. Nëse, hipotetikisht kjo marrëveshje nuk nënshkruhet, a keni zgjidhje apo plan alternative apo plane të tjera në këtë mënyrë, si ta zgjidhni këtë?

“Duke marrë parasysh çështjen e bisedimeve që veç më zhvillohen në grupet e punës Qeveri- investitori strategjik, një nga pikat kryesore për investim në ski qendrën Kodra e Diellit është edhe sistemi i borës artificiale, pasi ky lloj sistemi është produkt primar i investitorit në fjalë. Me vetë faktin që kjo mund të investohet besoj se do të mund të kemi kushte më të mira dhe më të lehta në të ardhmen për të pasur një sezon të begatë dhe sa më herët të fillojë skijimi në Kodrën e Diellit.  Nuk dua të jem skeptik, jam optimist se ky lloj projekti do realizohet dhe veç më do kemi punë në terren nga momenti kur do ketë marrëveshje konkrete të nënshkruar nga të dy palët.”

Ku e shihni shpëtimin në të ardhmen nga ndikimi në rritje i ndryshimeve klimatike në turizmin e skijimit në qendrën dimërore-rekreative Kodra e Diellit?

“Shpëtimi i vetëm është me instalimin e sistemit të borët artificiale, me perfeksionimet e tyre, me dhënien e mundësive dhe hapësirave të tjera rekreative në qendrën tonë duke e vënduar në funksion edhe për sezonin veror, jo vetëm për atë dimëror. Shpresoj që do na ndihmon edhe zoti që të kemi reshje të mjaftueshme në të ardhmen, që të mos na përsëritet ky vit që e kemi pranë nesh.”

Adem Avziu, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Adem Avziu, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

A keni vërejtur në sezonin aktual të skijimit temperatura rekorde të ajrit në qendrën tuaj të skijimit si dhe a keni të dhëna për sa ditë është ulur numri i ditëve me reshje bore dhe numri i ditëve me mbulesë bore në Kodrën e Diellit?

“Temperaturat sa i përket kësaj periudhe kohore në Kodrën e Diellit kanë qenë më të larta të mundshme ndonjëherë. Kemi pasur ditë ku temperatura maksimale ka qenë 15 gradë celcius e cila nuk mbahet mend të ketë ndodhur në këtë periudhë kohore në Kodrën e Diellit. Kemi pasur shumë pak ditë me reshje bore dhe ka dominuar klima e ngrohtë dhe pa reshje dhe pa shtresë dëbore në malet e Sharrit.”

Kodra e Diellit tani menaxhohet nga shoqëri e re e cila ka nën menaxhim vetëm këtë qendër turistike, sa pritet të ndikojë në përmirësimin e kapaciteteve dhe kushteve për turistët në këtë qendër turistike? Çfarë mund të presim në vijim?

“Realisht ne funksionojmë me të njëjtat kapacitete, ajo pjesa formale e shumë kërkuar e shumë pritur që të mund të funksionojmë më lehtë është realizuar, është përmbyllur. Jemi në fazën përfundimtare ku bëjmë regjistrimin e të gjithë kapitalit të patundshëm që ekziston në Kodrën e Diellit i cili është në pronë të shoqatës aksionare Elektranat e Maqedonisë së Veriut, i njëjti kapital i patundshëm ditëve në vijim do të bartet në institucionet përkatëse si Regjistri Qendror dhe Kadastra dhe do i bartet ndërmarrjes së re “Ski Qendra Kodra e Diellit”. Shpresoj që kjo të jetë një lehtësim edhe më i madh, me vetë faktin se në të ardhmen  duhet të lidhet marrëveshja me investitorin strategjik, dhe kjo është një hap shumë i rëndësishëm për të pasur një qasje të lehtë, për të pasur një dokumentacion të qartë dhe të pastër i cili do duhet t’i bartet investitorit strategjik.”

Kur të fillojë sezoni turistik për këtë vit, çfarë risish do të ketë?

“E ceka edhe më lartë, ne planifikonim të shtunën dhe të dielën me sezonin e skijimit duke marrë parasysh reshjet paraprake që patëm, klima ndryshon disa herë gjatë ditës dhe ja që për momentin kemi reshje të shiut. Në qoftë se do kemi kushte të mjaftueshme dhe reshje të mjaftueshme siç janë paralajmëruar, për të premten, të shtunën dhe të Dielën, ne javën e ardhshme do e hapim sezonin e skijimit, do vazhdojmë me të njëjtën tempo që e lamë sezonin e kaluar dhe do kemi edhe disa atraksione dhe aktivitete shtesë, që të jetë më mirë se e kaluara.”

Kodra e Diellit, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kujtojmë që investitorët nga Italia të interesuar për Kodrën e Diellit nga kompania “TechnoAlpin” kanë prezantuar planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Procesi është në fazën e hershme përgatitore dhe kontrata nuk është nënshkruar ende, marrëveshja pritet të nënshkruhet gjatë muajit janar.  Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Në fazën e parë prioritet pritet të ketë ndërtimi i sistemeve për borë artificiale, pasi planifikohet që sezoni të zgjasë më gjatë dhe jo të varet nga reshjet e borës. Faza e parë e cila kap vlerën prej 55 milionë eurove kap periudhën 2023-2028 ndërsa fazat e tjera (2-7) nga viti 2028 e tutje.

Përndryshe, fluksi më i madh i turistëve në këtë qendër është gjatë periudhës kur nxënësit janë në pushimet dimërore. Këtë vit, ka edhe ndryshime për sa i përket çmimeve të biletave të skijimit gjatë vikendit, edhe atë për 20% më shumë në krahasim me vitin e kaluar. Ndërsa gjatë javës çmimet e biletave të skijimit janë njëjtë si vitin e kaluar. Nga kjo qendër thonë se përkundër kësaj, përsëri çmimet janë më të lirat në rajon.

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button