Për shkak të motit të ngrohtë sezoni i skijimit po vonon me javë të tëra, qendrat turistike në vendin tonë në humbje

“Nëntor shumë i ngrohtë” dhe “dhjetor jashtzakonisht i ngrohtë” është konstatimi kryesor i Drejtorisë për punë hidrometeorologjike (DPHM) në raportet e përpiluara mujore mbi gjendjen klimatike në Maqedoni për dy muajt e fundit të vitit 2022. Nëpër qendrat e skijimit në vendin tonë borë nuk ka rënë prej në 9 janar, ndërsa fillimi i sezonit të skijimit po vonon me javë të tëra dhe pritet të fillojë në ditët në vijim, gjegjësisht në gjysmën e dytë të janarit. Dëmet financiare nga moti i ngrohtë dhe mungesa e borës janë shumë të mëdha, ndërsa qendrat e skijimit shohin shpëtim tek ndonjë paket masash me të cilat qeveria do t’i kishte ndihmuar në këtë periudhë.

Qendra e skijimit Kodra e Diellit gjatë një viti ka pasur 153 ditë me shtresë bore, ndërsa mesatarja për Mavrovën ka qenë deri më 111 ditë me shtresë të borës gjatë 12 muajve. Megjithatë, bëhet fjalë për mesataren e ditëve me shtresë bore që është matur për periudhën 1971-2000 nga ana e Drejtorisë për punët hidrometeorologjike në këto dy qendra skijimi. Nga perspektiva e tanishme, numrat e këtillë duken joreale, duke pasur parasysh faktin se qendrat dimërore-rekreative këtë vit kanë shumë vështirësi për ta hapur sezonin e skijimit dhe sporteve të tjera dimërore.

Raporti vjetor për vitin 2022, sipas matjeve të DPHM-së, tregon se ky muaj ka qenë ekstremisht i ngrohtë dhe me reshje mesatare. Temperatura mesatare mujore në Mavrovë ka qenë deri më 3,8 gradë celsius, ndërsa mesatarja e periudhës tridhjetë vjeçare është tejkaluar deri në 3,4 gradë celsius në nivel shtetëror.

Edhe për nëntorin e vitit 2022, raporti mujor i DPHM-së thotë se muaji ka qenë shumë i ngrohtë dhe se temperatura mesatare në vend ka qenë për 2,9 gradë celsius më e lartë në raport me temperaturën mesatare për nëntorin në periudhën tridhjetë vjeçare paraprake. Si rezultat i kësaj, përveç faktit që deri më tani nuk ka rënë borë në vëndet më të ulta, këtë dimër u vonuan shumë edhe reshjet e borës nëpër male.

Ekipet e Meta.mk dhe Portalb.mk i kaluan qendrat e skijimit në vendin tonë në gjysmën e parë të janarit të këtij viti dhe në terren nëpër qendrat dimërore-rekreative hasëm numër të vogël vizitorësh, objekte hotelerike gjysmë të zbrazura, ski-lifte jofunksionale për shkak të mungesës së skijuesve dhe shitore të mbyllura për dhënien me qira të pajisjeve për skijim për vizitorët. Kjo gjendje shkakton dëme financiare për çdo ditë, ndërsa është direkt e shkaktuar nga ndryshimet klimatike që këtë vit u reflektuan nëpërmjet motit ekstremisht të ngrohtë dhe mungesës së reshjeve të borës.

This slideshow requires JavaScript.

Ognen Cigovski, menaxher gjeneral i ski-resortit Bistra nga Mavrova thotë se këtë vit askush nuk ka pritur një gjendje të këtillë.

“Kjo domethënë se nuk kemi reshje të borës, por njëherit nuk kemi edhe temperaturë të mjaftueshme për ta aktivizuar sistemin e për borë artificiale, që domethënë se supozoj se ky do të jetë një sezon katastrofal për qendrën më të madhe të skijimit në Maqedoni, që është Mavrova. Shpresoj që deri kah fundi i janarit të kemi reshje të borës dhe të provojmë të shpëtojmë atë që mund të ketë mbetur prej këtij sezoni i cili tashmë ka filluar”, thotë Ognen Cigovski.

Ai shton se dëmet financiare mund të shihen nga ajo se kapacitetet në Mavrovë kanë qenë të rezervuara 100%, ndërsa plotësimi i tyre në këtë periudhë ka rënë në 10-20 përqind nëpër hotele.

“Kjo domethënë që numrat nuk janë katastrofale vetëm për qendrën e skijimit, por edhe për hotelet, më saktë për të gjithë destinacionin e Mavrovës”, qartëson Cigovski.

Në qendrën e skijimit Mavrovë gjatë festave që kaluan janë vënë në funksion guidat për turet malore dhe madje edhe biçikletat me qira, por këto aktivitete rekreative për vizitorët nuk mund të krahasohen me sezonin e skijimit.

“Bjeshkëve mund të ngjiten 50 ose 100 njerëz, biçikleta mund të ngasin 50-100 të tjerë, ndërsa skijimi nuk mund të zëvendësohet me asgjë, sepse njerëzit duhan të vijnë në Mavrovë për të skijuar, e jo për të shëtitur me biçikleta apo nëpër mal”, thekson menaxheri gjeneral i ski-resortit Bistra në Mavrovë.

Ai e pranon se problemi me motin e ngrohtë dhe mungesën e borës nuk është vetëm problem i Mavrovës dhe Maqedonisë, por edhe i gjithë Evropës. Mirëpo, tek shtetet perëndimore është ndryshe sepse atje qeveritë u vijnë në ndihmë, u japin subvencione, ndërsa këtu qendrat e skijimit nuk janë pjesë e kësaj.

“Supozoj se shteti duhet të paraqesë ndonjë lloj masash me të cilat do të ndihmojnë që të mbijetohet në këtë biznes, sepse këto janë me të vërtetë shifra që askush nuk mund t’i parashikonte. Në fillim ishte pandemia e Kovidit, pastaj erdhi kriza energjetike, ne na mbetet që të luftojmë dhe ma merr mendja se do arrijmë që të mbijetojmë”, thotë Ognen Cigovski.

Me gjendje të ngjashme këtë sezon dimëror po përballet edhe qendra e skijimit Kodra e Diellit, Udhërrëfyesi turistik malor nga Kodra e Diellit, Meto Çilimanov thotë se ky sezon është më i keqi sa i përket reshjeve të borës në dhjetor dhe janar që kur mban mend ai, e kështu vonesa e hapjes së sezonit të skijimit është rreth tre javë, kjo sipas përllogaritjeve të tij të bëra më 12 janar.

“Për shkak se në Kodrën e diellit nuk kemi sisteme për borë artificiale, sezoni është plotësisht i varur prej borës natyrale. Për këtë arsye është shumë problem që të precizohet se kur do të fillojë me punë ski-qendra, por zakonisht kjo ka qenë në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit. Kështu ka qenë në tri sezonet e kaluara”, sqaron Çilimanov.

Nga aspekti i rënies së numrit të vizitorëve, Çilimanov shton se numri i atyre që bëjnë skijim freeride dhe vizitorëve të huaj, këtë vit ka rënie prej 100%. Tek vizitorët e vendit, Çilimanov llogarit se numri i vizitorëve ka rënë me siguri rreth mbi 50%, dhe madje edhe lagjja me shtëpi pushimi e Kodrës së Diellit është gjysmë e zbrazur.

Ky udhërrëfyes turistik sqaron se ski-qendra Kodra e Diellit tashmë një kohë më të gjatë ndodhet në një fazë të rënies në vend të zhvillimit, kryesisht për shkak të mungesës së investimeve. Dy vitet e fundit ka pasur një lëvizje pozitive dhe një përmirësim të menaxhimit, por Çilimanov thekson se pa një sistem për borë artificiale dhe një sezon të garantuar, si dhe zgjerim të shpateve veriore, fillimisht drejt zonës Jellak, funksionimi i ski-qendrës do të jetë gjithnjë e më i vështirë.

Meto Çilimanov shton se ski-qendra Kodra e Diellit duhet të punojë në të katër stinët, me skijim të garantuar në dimër, nëse ka makina për prodhimin e borës artificiale dhe nëse qendra zhvillohet kah shpatet veriore. Ofertë unike është skijimi free ride dhe ski touring-u, thotë ai, dhe shton se në sezonet e tjerë duhet të zhvillohet çiklizmi, bjeshkataria, spa turizmi dhe turizmi i konferencave.

Kah fundi i dhjetorit të vitit të kaluar kompania italiane “TechnoAlpin”, e cila është e interesuar që të investojë në Kodrën e Diellit e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike, duke përfshirë edhe investimin në sistemin për borë artificiale.

Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Në fazën e parë prioritet pritet të ketë ndërtimi i sistemeve për borë artificiale, pasi planifikohet që sezoni të zgjasë më gjatë dhe jo të varet nga reshjet e borës. Faza e parë e cila kap vlerën prej 55 milionë eurove kap periudhën 2023-2028 ndërsa fazat e tjera (2-7) nga viti 2028 e tutje.

Adem Avziu, drejtor i qendrës turistike Kodra e Diellit, sqaron për Portalb.mk se humbjet e deritanishme në këtë qendër dimërore-rekreative për shkak të pamundësisë së fillimit të sezonit të skijimit janë rreth 500 mijë euro. Ai shton se në Kodrën e Diellit, sezoni i skijimit zakonisht fillon më 15 dhjetor, dhe realisht deri më tani ka pasur vonesë mbi një muaj për shkak të kushteve klimatike – ngrohjes globale.

“Temperaturat sa i përket kësaj periudhe kohore në Kodrën e Diellit kanë qenë më të larta të mundshme ndonjëherë. Kemi pasur ditë ku temperatura maksimale ka qenë 15 gradë celsius e cila nuk mbahet mend të ketë ndodhur në këtë periudhë kohore në Kodrën e Diellit. Kemi pasur shumë pak ditë me reshje bore dhe ka dominuar klima e ngrohtë dhe pa reshje dhe pa shtresë dëbore në malet e Sharrit”, sqaroi Avziu.

Drejtori i qendrës turistike shton se pret që sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit të hapet fundjavën e ardhshme (21/22 janar).

“Të them të vërtetën, para pushimeve të fund vitit të gjitha kapacitetet hotelerike të cilat operojnë në qendrën turistike Kodra e Diellit, ishin të rezervuara, si ashtu edhe kapacitetet e vilave private të cilat ofrohen në këtë qendër turistike. Mirëpo me vetë faktin që nuk kishim sezon skijimi, nuk kishim borë të gjithë ato u prolonguan për një periudhë të ardhshme kur të kemi kushte për të mundur të hapim sezonin turistik. Frekuentimi i turistëve është goxha i madh gjatë vikendeve, marrë parasysh se vikendet që lamë pas ishin me diell, ishin të përshtatshme për të bërë shëtitje panoramike me gjashtëulësen në qendrën tonë. Për këta vikende ka qenë në shërbim teleferiku me gjashtë ulëse dhe ai me dy ulëse”, tha Avziu.

Përndryshe, me ndikimin negativ të ndryshimeve klimatike po përballen edhe qendrat e tjera të skijimit në vendin tonë – Ponikva, Kopanki dhe Krusheva. Këto qendra rekreative-dimërore ndodhen edhe në një lartësi mbidetare më të ulët, e kështu temperaturat e ajrit në këto lokacione janë më të larta. Gjatë festave të Krishtlindjeve, ekipi i Meta.mk ishte edhe në ski-qendrën Ponikva, ku gjithashtu vumë re se për shkak të motit të ngrohtë nuk punojnë ski-liftet dhe makinat për prodhimin e borës artificiale.

Ngjashëm me gjendjen në qendrat e skijimit në Maqedoni është edhe situata në vendet e rajonit dhe Evropës. Mediet botërore në periudhën që kaloi ishin përplot me regjistrime nga qendrat e skijimit pa borë dhe me deklarata shqetësuese nga resortet evropiane dimërore se janë të frikësuar për të ardhmen e tyre për shkak të rritjes së temperaturave të ajrit, që vijnë si pasojë e emitimit të rritur të gazrave serë në rrafsh global.

Meta.mk tashmë një periudhë më të gjatë shkruan mbi ndikimin negativ për ndryshimeve klimatike ndaj sektorëve të ndryshëm në vendin tonë, por edhe të dhënat e fundit mbi kontributin tonë kombëtar për zbutjen e ndryshimeve klimatike tregojnë se emetimi i substancave të dëmshme në atmosferën e Maqedonisë po rritet, në vend që të ulen emitimet e gazrave serë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button