A duhet bankat e Maqedonisë së Veriut të përdorin gjuhën shqipe? Ministria e Drejtësisë hesht

Derisa opinioni dhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve i ka sytë te pritja e mendimit nga Ministria e Drejtësisë nëse inspektorati mund të gjobisë ose jo bankat për mos njohjen e gjuhës shqipe dhe mos implementimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, Ministria e Drejtësisë rri në heshtje, shkruan Portalb.mk.

Pavarësisht se Agjencia për Zbatimin e Gjuhës thotë se bankat private në Maqedoninë e Veriut obligohen të pranojnë dokumente zyrtare në gjuhën shqipe të lëshuara nga institucionet shtetërore dhe të zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, bankat nuk e bëjnë këtë dhe arsyetohen se nuk e kanë për obligim.

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve nuk e ka të qartë ende nëse mundin ose jo t’i gjobitin bankat për mos zbatimin e gjuhës shqipe, me ditë të tëra presin mendim nga Ministria e Drejtësisë që të mund të veprojnë, por kjo ministri nuk u përgjigjet me ditë të tëra,.

“Ende nuk kemi pranuar asnjë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë”, thanë nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve.

Ministria e Drejtësisë nuk u përgjigj as në pyetjet e Portalb.mk edhe pse na konfirmuan se do i shqyrtojnë pyetjet tona.

Rikujtojmë që shoqata Më Mirë për Tetovën (MMPT) nxori në pah problemin me Bankat në Maqedoninë e Veriut që nuk e njohin gjuhën shqipe, gjegjësisht nuk pranojnë dokument zyrtar të lëshuar nga institucioni shtetëror në gjuhën shqipe.