Koronavirusi është i pranishëm edhe këtë sezon në Maqedoni, janë regjistruar tri raste
Gjatë javës së kaluar në vend janë konfirmuar tri raste të reja me koronavirus, tregojnë të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik. Gjatë javës së 46-të të këtij viti, në laboratorin e Institutit janë testuar 64 mostra për praninë e gripit, koronavirusit dhe virusit sincicial respirator (RSV), transmeton Portalb.mk.
Gripi është zbuluar në katër mostra. Në tri prej tyre është konstatuar influenza A, pa përcaktim të mëtejshëm të nëntipit, ndërsa në njërën është konfirmuar nëntipi A(H3).
Në raport thuhet se janë regjistruar edhe tri rezultate pozitive për SARS-CoV-2, virusin që shkakton sëmundjen COVID-19. Në asnjërën prej mostrave të testuara nuk është zbuluar RSV.
Sezoni i gripit këtë javë ka marrë hov. Në raportin e mëparshëm javor janë regjistruar 154 pacientë me simptoma të gripit, që është 37,5 për qind më shumë se një javë më parë. Gjysma e të prekurve ishin nga Tetova dhe Shkupi.
Virusi është konfirmuar edhe te dy fëmijë që po trajtoheshin në Klinikën për Sëmundje të Mushkërive “Kozle”. Në të njëjtën kohë, është rritur edhe numri i fëmijëve me infeksione të tjera respiratore, ndërsa në spital janë trajtuar rreth 50 fëmijë, mes tyre edhe një foshnjë 40-ditëshe.