Konferencë në Shkup: Nga shkronjat e Manastirit te fjalët që shkruajmë në ekran dhe (mos) zbatimi i shqipes në institucione

“Kongresi i Manastirit mes të djeshmes dhe të sotshmes” ishte tema e konferencës e cila iu kushtua rëndësisë historike dhe kulturore të alfabetit shqip. Në program u prezantuan shkrime nga profesorë e studiues të universiteteve të vendit dhe të rajonit, raporton Portalb.mk.

Në një prononcim për Portalb.mk, këshilltari shtetëror për përkthim, Nebi Bilalli, u bëri thirrje të rinjve ta përdorin sa më shumë shqipen dhe foli për ndikimin e teknologjisë në shprehitë e të shkruarit.

“Gjuha shqipe është gjuhë e kultivuar, e konsoliduar dhe e folur nga të gjithë shqiptarët anembanë botës. Është detyrë e jona që gjuhën shqipe ta kultivojmë, ta pasurojmë dhe ta flasim të gjithë shqiptarët, anembanë botës. Është e rëndësishme të mendojmë se çfarë trashëgimie gjuhësore po ua lëmë brezave të ardhshëm. Këto shkronja, të cilat janë shkruar me gjak dhe sakrificë, nuk duhet të humbasin kaq lehtë përballë zhvillimeve të shkencës, teknikës dhe teknologjisë që na rrethojnë sot. Teknologjia duhet të jetë në shërbim të gjuhës sonë, e jo të bëhet shkak për ta harruar apo për ta zbehur atë”, tha Bilalli.

Prorektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Fati Iseni, tha se gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut ka kaluar nëpër periudha të vështira, të shënuara nga sakrifica dhe përpjekje të vazhdueshme për afirmimin dhe përdorimin e saj në institucione.

Në konferencë folën edhe drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Granit Osmani, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizi, prorektori i Universitetit të Tetovës, Selajdin Saliu, si dhe profesoreshat Manjolla Zeqallari dhe Ajtene Qamili.

Konferenca u mbajt me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit Shqip, dhe u organizua nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhës.