Në kërkim të një vendparkimi, pacientët humbin terminin te mjeku në Klinikën “Nënë Tereza” (VIDEO)
Pacientët në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza” në Shkup vazhdojnë të humbin deri në një orë duke kërkuar një vendparkimi, ndërsa disa humbin edhe terminet mjekësore. Ministrat e Shëndetësisë ndërrohen dhe premtimet për zgjidhje përsëriten, por kaosi mbetet. Edhe pse në mars të vitit 2026 u nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e garazheve shumëkatëshe, tenderi ende nuk është shpallur, shkruan Portalb.mk.
Tollovia, nervozizmi dhe konfuzioni janë bërë pjesë e përditshmërisë së pacientëve që vijnë në Qendrën Klinike. Kërkimi i një vendi për të parkuar ua vështirëson mbërritjen në kohë te mjeku, ndërsa qytetarët ankohen se ka raste kur, duke kërkuar parking brenda kompleksit, humbin edhe terminin.
Një pacient që e takuam në Qendrën Klinike tha se përballet me të njëjtin kaos sa herë që vjen.
“Çfarë të flas, gjithmonë që vijmë këtu humbim deri në një orë duke kërkuar parking. Gjendja është katastrofë”, tha pacienti.
Një tjetër pacient, për Portalb.mk, kërkoi ndërhyrje urgjente nga autoritetet shëndetësore.
“Autoritetet shëndetësore duhet të zgjidhin problemin me parkingun urgjentisht”, deklaroi ai.
Për zgjidhjen e këtij problemi, Ministria e Shëndetësisë dhe Qyteti i Shkupit në mars 2026 nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e garazheve shumëkatëshe në kuadër të Qendrës Klinike “Nënë Tereza”. Marrëveshja është lidhur për 15 vjet dhe parashikon qira prej 10 për qind të qarkullimit të përgjithshëm të realizuar.
Garazhet e planifikuara do të jenë të destinuara për pacientët dhe të punësuarit në Qendrën Klinike. Njëri parashihet të ndërtohet te Klinika e Gjinekologjisë, ndërsa tjetri te kisha brenda kompleksit.
Megjithatë, marrëveshja ende nuk është pasuar nga shpallja e tenderit. Ndërsa premtimet për zgjidhjen e kaosit vazhdojnë, pasojat i bartin pacientët, të cilët përballen me të njëjtat vështirësi për të siguruar qasje në shërbimet mjekësore.
Nga Ministria e Shëndetësisë për Portalb.mk, thanë se procedura për instalimin e garazheve shumëkatëshe të parafabrikuara brenda Qendrës Klinike është nën juridiksionin e Qytetit të Shkupit, si institucioni që zhvillon procedurën e tenderit për projektimin dhe ndërtimin e garazheve.
“Afati për zbatimin e tyre varet nga përfundimi i procedurës dhe dinamika e përcaktuar nga kontrata e ndërtimit”, shtuan nga atje.
Ndërkohë që problemi me parkingun në kompleksin ekzistues mbetet i pazgjidhur, autoritetet po diskutojnë edhe për vendndodhjen e një Qendre të re Klinike në Shkup.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se pret që negociatat për përcaktimin e vendndodhjes pranë qendrës sportive “Boris Trajkovski” të përfundojnë deri në fund të vitit. Sipas tij, po shqyrtohen dy parcela për ndërtimin e kompleksit.
“Njëra parcelë është përpara pishinës, e cila u la në rrëmujën e kohës, kështu që tani po rindërtohet, dhe tjetra është pas rrëshqitëses. Këto janë dy parcelat ku duhet të jetë Qendra e re Klinike. Pres që këto negociata të përfundojnë deri në fund të këtij viti”, tha Mickoski.
Sipas tij, kjo vendndodhje, së bashku me lidhjen me spitalin ekzistues “8 Shtatori”, qendrën PET dhe poliklinikën “Bukuresht”, do të mundësonte krijimin e një kompleksi të integruar shëndetësor.
Ai shtoi se po punohet edhe me Komunën e Karposhit për sigurimin e vendeve shtesë të parkimit, me qëllim zbutjen e ngarkesës në trafik që do të krijohej pas ndërtimit dhe vënies në funksion të kompleksit.
Ndryshe, mungesa dhe shpërndarja e pabarabartë e personelit shëndetësor, qasja e vonuar në kontrolle specialistike, ndërprerjet në terapi, parandalimi i dobët dhe koordinimi i pamjaftueshëm janë ndër problemet kryesore në sigurimin e kujdesit shëndetësor në institucionet ndëshkuese-korrektuese në vend – tregon hulumtimi i Avokatit të Popullit, i realizuar në 11 institucione ndëshkuese-korrektuese.
- LEXO: Ministria e Shëndetësisë dhe Qyteti i Shkupit nënshkruan marrëveshje për qira për ndërtimin e garazheve shumëkatëshe në Qendrën Klinike
- LEXO: Mungesë mjekësh, vonesa në kontrolle mjekësore dhe probleme me terapinë në burgjet e Maqedonisë, konstatoi Avokati i Popullit
- LEXO: Vazhdon kaosi dhe humbja e termineve në Qendrën Klinike të Shkupit, ende nuk është shpallur tenderi për parkingun në kate
- LEXO: Investim strategjik apo deklaratë politike, paqartësi rreth 74 milionë eurove për Spitalin e Tetovës
- LEXO: Ideja e shumë-premtuar për Qendër të re Klinike në pauzë, spitali “8 Shtatori” po përgatitet të bëhet qendër rajonal