(Pa) drejtësia i vrau për së dyti 14 viktimat e Spitalit Modular

Koment nga gazetari Fisnik Xhelili

14 jetët e humbura në flakët e spitalit modular të Tetovës nuk do të pushojnë të qetë, madje ata u mbytën për së dyti herë nga drejtësia e cila nuk u soll kurrë (të paktën deri tani) për to. 14 trupat e djegur – jo të vdekur drejtësia e vendit i barazoi sikur të ishin asgjë. Askush sot e kësaj dite nuk është përgjegjës për zjarrin dhe shkaqet e tij, kjo rrëzon poshtë të gjitha “reformat e bëra” në sistemin e drejtësisë dhe gjyqësor në këtë vend. Ky rast e dëshmoi se jeta në Maqedoninë e Veriut nuk vlen asgjë.

Nuk e harroj asnjëherë atë natë të kobshme dhe tmerrin që përjetuam. Aq më pak as britmat dhe të qarat e familjarëve atë natë të tmerrshme shtatori e cila u mori më të dashurit përgjithmonë, si sot më kujtohet një fëmijë si cili në atë kaos kërkonte prindërit e tij. Madje as rrëfimin e burrit dhe gruas që me tmerrin më të madh më tregonin se si i shpëtuan zjarrit nga dritarja për çështje minutash. Shumë e shumë fragmente tjera të trishta të cilat shoqëruan shumë njerëz në këto dy vite.

Atëbotë, shumë funksionarë dhe politikanët dolën me deklarata të ndryshme për rastin. Por, pasi u mor një vendim i cili nuk thirr askënd në përgjegjësi për këtë tragjedi, funksionarët dhe opozita heshtën, ata që dikur zërin e kritikës “e kishin shumë të lartë” për këtë rast dhe që kërkonin përgjegjësi, heshtën. Askush nuk tha asgjë dhe kjo flet shumë. Pikërisht këto politika populiste të cilat mbrojnë interesat personale janë një nga shkaqet për atë ku jemi sot dhe mënyrën se si u trajtua kjo fatkeqësi.  Kultura e pandëshkueshmërisë është shtresuar shumë thellë sa që e paguajmë me jetë njerëzish dhe askush nuk jep llogari. Pati marshe, protesta dhe të tjera. Por, sot nuk ka as drejtësi dhe as përgjegjësi. Heshtje!

Ky rast do të mbahet mend si dështim i shtetit të së drejtës, pasi ishte një nga tragjeditë më të mëdha të ndodhura në vend ndër vite dhe askush nuk u thirr në përgjegjësi. Jo vetëm familjarët e viktimave, por të gjithë tetovarët u vranë për së dyti me vendimin gjyqësor ku edhe pse pati një proces gjyqësor, të akuzuarit në fjalë nuk u thirrën për zjarrin dhe shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale lidhur me rastin. Thënë shkurt, drejtësia dështoi dhe askush nuk reagoi për këtë, reaguan vetëm ata pak qytetarë të cilët me mish e me shpirt mundohen ta bëjnë këtë vend më të mirë.

Drejtësia në këtë shtet nuk është se nuk mundet të jetë e drejtë, por problemi është se ajo di të jetë e drejtë vetëm atëherë kur do. Jo më pak se disa javë kishim rastin e anesteziologut nga po Spitali i Tetovës ku rasti i së cilit u zgjodh menjëherë dhe iu shqiptua dënimi. Mirë bën të gjitha rastet të zgjidhen në këtë formë dhe gjithkush të bartë përgjegjësi për veprat e kryera.

Pse askush nuk thirret në përgjegjësi për zjarrin dhe shkaqet e zjarrit? Pse për kaq gjatë tragjedia e modularit nuk mori epilog? Pse drejtësia e vendit dështoi ta zgjidh këtë?

Këto janë pyetjet të cilave drejtësia e vendit duhet t’ju  jep përgjigje, së pari për familjarët e viktimave e më pas për të gjithë qytetarët të cilët nuk e kaluan lehtë këtë rast. Jetët e humbura nuk mund të kthehen prapa, mirëpo përgjegjësia duhet të sillet që e njëjta të shërbejë si model që raste dhe lëshime të tilla mos të përsëriten, kurrë më!

Derisa fajtorët nuk thirren në përgjegjësi dhe të vuajnë pasojat, Tetova nuk do të jetë e qetë, flakët e asaj nate, tymi era e plastikës, lotët, vuajtjet, zemërimi, jetojnë brenda të gjithë nesh.

14 njerëz nuk vdiqën, ata u dogjën.

Tymi i zi i cili mbuloi atë natë qytetin, sot po mbulon drejtësinë e vendit e cila nuk e zbardhi këtë rast.

Tetova nuk do të jetë e qetë derisa nuk sillet drejtësia në vend.

Editoriale të tjera nga autori mund të lexoni KËTU.