(Ar) miqtë e bashkuar, populli i ha foret?

Koment nga gazetari Fisnik Xhelili

Maqedonia e Veriut së shpejti do të shkojë në zgjedhje të dyfishta, presidenciale dhe parlamentare, ndërsa partitë politike shqiptare tani më janë pozicionuar, armiqtë e vjetër tani janë bërë miq “të ri”, të ndarë në dy grupe.

“Fronti Evropian” ka bërë bashkë paritë aktuale të pushtetit, Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), Aleancën për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës), Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH), Lëvizjen Populli (LP) dhe Partinë Demokratike Evropiane (PDE).

Ndërsa “Lidhja Evropiane për Ndryshim” (VLEN) ka bashkuar Lëvizjen Besa, Alternativën, Lidhjen Demokratike dhe Aleancën për Shqiptarët (krahun e Arben Taravarit).

Në një botë normale dhe në një kulturë politike dhe mediatike kritike këto pozicionime do përbënin lajm, por në një mjedis të tillë ku ndodhemi kjo po kalohet sikur asgjë, dhe populli i “ha këto fore”.

Kujt do ja merrte mendja se dy liderët që vjellën vrerin më të madh për njëri tjetrin, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi do uleshin bashkë dhe do nënshkruanin koalicion parazgjedhor. Madje në zgjedhjet e vitit 2008 kur këta parti “luftonin” njëra tjetrën pati edhe të vdekur.

Ngjashëm edhe Ziadin Sela me Meduh Thaçin të cilët dikur ishin një e u bënë dy, por edhe me Ali Ahmetin, të cilët betejat më të ashpra politike i kanë pasur me njëri tjetrin. Grupi i Selës “flirtimin” me BDI-në, kundër së cilës ndërtoi retorikën opozitare, me hyrjen e tyre në qeveri e shkelën me dy këmbë, ndërsa tani vetëm sa e vulosën.

Apo në anën tjetër Bilall Kasami me Afrim Gashin, të cilët dikur ishin pjesë e një partie, u ndanë dhe bënë “luftë” se kujt do t’i takonte partia.

Izet Mexhiti i dalë nga BDI me partinë e re Lëvizja Demokratike u bashkua me partitë e opozitës, ndërsa do të luftojë përballë folesë së vjetër.

PDE e shkëputur nga Lëvizja Besa dhe LP e shkëputur nga Alternativa, “tradhtuan idealin e tyre opozitar” dhe u bashkuan me ata të pushtetit.

Ata që dikur nuk lanë të zezat pa thënë për njëri tjetrin, sot shtrëngojnë duar, përqafohen dhe thurin fjalë miradije për njëri tjetrin. Po krijohet një kaos i madh politik ndërsa se a do të bëhet mirë për popullin, zor të thuhet. Populli tani e shumë vite i ka mësuar këngët e paszgjedhjeve përmendësh, kushdo që vjen në karrigen e pushtetit që të nesërmen “ja fut një restart” dhe harrojnë gjithçka që premtojnë.

Por nuk është për tu habitur aspak që këta “të bashkuarit” në copëtohen së shpejti dhe të ja fusin shuplakë njëri tjetrit sapo të ju cenohen interesat apo të ju ofrohet pak pushtet, episod të cilin e kemi parë disa herë deri më tani.

Populli është “pa zgjidhje”, midis shumë të këqijave do duhet të zgjedh më pak të keqen, e cila edhe për katër vite të ardhshme do të vazhdojë t’i vjedhë natën dhe t’i qajë ditën derisa t’i hipë në autobus për në Gjermani dhe pastaj t’i vajtojë.

Zgjedhje pa zgjidhje!

Editoriale të tjera nga autori mund të lexoni KËTU.