OVERTHINK

Një një pësim, një mësim. Një sprovë nga pakujdesia, mësimi nga rinia. Ana e mirë e sprovës: një term i ri që e mësuam nga djali ynë shtatëmbëdhjetëvjeçar i cili na kritikoi lidhur me obsesionin tonë me veturën të cilës gjatë pushimit veror, para do ditësh, 30 km para destinacionit, në vend të naftës i qitën benzinë, gjë që na shkaktoi goxha kokëdhembje e stres. Jo shumë në aspektin e parave por në disponimin e kohës së lirë apo të ngesë vjetore që mezi e kemi pritur. “Shumë po e lodh kokën babi për makinën, do bëhet” – na ngushëllonte ai. “Kësaj na gjuhën angleze i thonë overthink.” Dhe e regjistruam këtë fjalë të re që do të thotë ‘të mendosh shumë dhe gjatë lidhur me një gjë’. Brengosja dhe mbimendimi apo stërmendimi janë pjesë e përvojës njerëzore, komponentë e çdo individi.

Sipas Forbes-it (10 mars 2023) 73% -shi i popullatës së moshës 25-35 vjeç është kronikisht mbimendues, kur se te mosha 45-55 vjeç kjo përqindje është 52.  Disa mendojnë se mbimendimi e përgatit njeriun për rrjedhimet më të këqija të mundshme. Por kur ai nuk kontrollohet, mund t’ju marrë nga mirëqenia juaj. (health.com) Andaj, nuk duhet lodhur kokën me gjëra që janë të imëta e terciare, pa të cilat mundemi të bëjmë, ta vazhdojmë jetën. Duhet shikuar anët pozitive, kruciale, satisfaksionuese të jetës jo ato negative dhe detaliste.

Sipas shkencës, teknika për të shpëtuar nga mendimi i tepërt janë shpërqendrimi, aktivizimi i vetes me diçka tjetër (sporti, bjeshkataria, pikturimi, pjesëmarrja në një organizatë lokale), frymëmarrja e thellë, meditimi, lutjet fetare, të bërit e mirësive në favor të të tjerëve, njohja e sukseseve personale, marja parasysh e mendimeve të të tjerëve, vetë-dhembshuria (self-compassion) e të tjera. Njerëz jemi dhe shpesh bëjmë gabime, i ekzagjerojmë shumë gjërat, përqendrohemi tepër te imtësirat që s’meritojnë shumë të lodhim kokën, në vend që të shijojmë mirësitë, dhuntitë e panumërta që na janë falur. Kjo botë është shumë e shkurtër që t’i marrim për zemër çastet e humbjeve të vogla, të dëmtimeve të të mirave materiale.

Çdo ditë, madje çdo çast është dhunti që duhet shfrytëzuar për të përjetuar, për ta shijuar dhe për të bërë gjëra të mira. Për të dëgjuar tjetrin, qoftë edhe më i njomë se ne, dhe natyrisht për të mësuar gjëra të reja që na orientojnë kah dita, drita, e bukura, e këndshmja, e pëlqyera, energjia pozitive dhe gjithçka që na e përmirëson klimën e çastit dhe përtej. Rioshi arriti që të na qesë në një terren tjetër, të relaksit, të “Take it easy!”, “Don’t worry be happy!” Dhe porosia e këtij shkrimi: kurrë mos e përçmoni dikë vetëm në bazë të moshës dhe përvojës jetike! Brezi i ri kanë shumë gjëra për të na thënë. Mos të nisemi nga filozofia ‘dikur ishte mirë sot është keq’, ‘këta s’bëhen’, ‘brez i humbur’. Të bëhemi vesh edhe i fëmijëve tanë që i takojnë brezit Z, që në saje të teknologjisë së avancuar gjejnë rrugët më të shkurtra të vetë-edukimit dhe vetë-arsimimit, që janë më të pjekur se mosha që kanë.

Pa mendim s’ka jetë, s’ka vitalitet kjo është aksiomë e jetës. Por ama edhe mbimendimi lëkund, zhbalancon, të humb energjinë që mund ta shfrytëzoni për gjëra reale, produktive dhe konstruktive. Relaksohuni dhe ngadhënjeni nga anksioziteti që shkakton mbimendimi ose overthink. Dhe, para katër ditësh na u kumtua se autovetura është rregulluar. Happy end. U vërtetua se duhet të jemi solution-focused. Pozitiviteti toksik, elementet që Maenpaa (2022) i quan ‘rikornizimi pozitiv’ (positive refraiming) dhe ‘mirënjohje specifike’ (specifc gratitude) janë ilaç kundër overthink. Të përqendrohemi në skenare pozitive, të kujtojmë Atë që na do më shumë se sa vetja, atë që është Përdëllues, që na ka falë të mira e dhunti që s’mund t’i numërojmë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.