Osmani: Qeveria miratoi ndryshimet në ligjin për masat kufizuese

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, përmes profilit të tij në Facebook ka bërë të ditur se Qeveria në seancën e sotme ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Masat Kufizuese, me të cilat, siç thotë ai, listat amerikane dhe britanike bëhen bazë për sanksionim edhe nga institucionet tona, transmeton Portalb.mk.

Shefi i Diplomacisë, Osmani, në një konferencë për media javën e kaluar informoi se Ministria e Punëve të Jashtme po fillon diskutimin publik lidhur me ndryshimet në Ligjin për Masat Kufizuese, të cilat synojnë zgjerimin e fushës së këtyre masave kufizuese, si dhe instrumentet në dispozicion të shtetit në kushtet e futura të masave kufizuese.

“Sipas zgjidhjes aktuale, Ligji për masat kufizuese rregullon çështjet e futjes, modifikimit dhe përfundimit të vlefshmërisë së masave kufizuese, si dhe mekanizmat e koordinimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të tyre, si bazë për vendosjen e masave kufizuese në zgjidhjen aktuale janë – rezolutat detyruese të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, aktet ligjore të BE-së, organizatave të tjera ndërkombëtare në të cilat vendi është anëtar dhe me kërkesë të autoriteteve kompetente të vendeve të tjera për çështjet e terrorizmit dhe përhapjen e armëve”, tha Osmani në një deklaratë për media pas brifingut me gazetarë.

Ajo që ne propozojmë me këto ndryshime në Ligjin e këtij debati publik, shtoi Osmani, është që si bazë për vendosjen e masave kufizuese nga shteti të shtohen aktet juridike të SHBA-së dhe aktet juridike të Mbretërisë së Bashkuar, që do të thotë, përveç Këshillit të Sigurimit, Bashkimit Evropian dhe tani aktet ligjore të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar janë bazë e vlefshme për futjen e masave kufizuese.

Kjo deklaratë e Osmanit erdhi dy javë pasi Qeveria njoftoi para Vitit të Ri se Trupi Koordinues për Analizën dhe Forcimin e Legjislacionit në Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbajtur mbledhje, ku është diskutuar mundësia e forcimit të masave kufizuese lidhur me listën e sanksioneve të SHBA-së.

“Propozimi për ndryshime në Ligjin për masat kufizuese është me iniciativë të zëvendëskryeministres përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Slavica Grkovska, për të mundësuar sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmit dhe kërcënimeve hibride, që mund të aplikohen në vendin tonë dhe subjektet e mbuluara i nënshtrohen sanksioneve sipas legjislacionit të brendshëm”, njoftoi Qeveria në fund të dhjetorit.

Ndryshe, Koço Angjushev, Orce Kamçev, Ramiz Merko, Sasho Mijalkov, Nikolla Gruevski janë vetëm disa nga personat që janë futur në “listën e zezë” të SHBA-së në periudhën e fundit. Biznesmeni dhe ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev ishte i fundit në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion masiv, siç bëhet e ditur në njoftimin e Departamentit të Shtetit. Atij iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara në dhjetor 2023.

Në listë u shtuan gruaja dhe dy fëmijët e tij.

Në deklaratë thuhet se ky veprim tregon se “SHBA-të qëndrojnë në krah të atyre në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë llogari nga zyrtarët e korruptuar publikë”, ndërsa Angjushev paralajmëroi se do ta apelojë vendimin.

Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit tashmë janë EDHE Ljube Boshkovski, Menduh Thaçi, Xhevat Ademi, Kastriot Haxhirexha, Nevzat Halili, Gafur Adili, Nuri Bexheti, Xhavit Hasani, Xhezair Shaqiri, Daut Rexhepi dhe Xhemail Hiseni. Ndërsa në vitin 2003 nga presidenti Bush, nga kjo listë u hoqën emrat e Ali Ahmetit, Fazli Veliut dhe Hysni Shaqirit.

Lista e zezë përbën një mekanizëm të mirë në vendet me korrupsion të lartë. Ky lloj sanksionimi, ndihmon edhe në pastrimin e elitës politike nga dekriminalizimi, çka ndihmon shumë gjithashtu në vetë procesin e reformave në vend, si dhe për rrugën eurointegruese të vendit.

Ndërkohë, kujtojmë se në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, si dhe në raportet e mëparshme, janë shprehur mendime pozitive për punën e komisionit, ndonëse në vitet e fundit, rastet e hapura nga KSHPK-ja shpeshherë janë bërë objekt i “përplasjeve” me gjyqësorin dhe institucionet shtetërore. Komisioni ka reaguar ndaj presioneve në punë dhe prokuroria në një moment ka ngrirë bashkëpunimin me institucionin.