Gërkovska: Personat nga “lista e zezë” e SHBA-së të sanksionohen edhe në vend
Të zgjerohet fusha e veprimit të Ligjit për masat kufizuese, i cili do të zgjerojë dhe plotësojë ligjin me një procedurë në bazë të së cilës sanksionet e vendosura nga SHBA do të procedohen në legjislacionin vendas, transmeton Portalb.mk.
Me këtë, ata persona që janë në listën e zezë në SHBA, sipas saj, do të mund të sanksionohen në legjislacionin maqedonas.
Kështu ka thënë mbrëmë në Ditarin e RTVM-së, zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska.
“Marrëveshja e partneritetit strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, në një pjesë i referohet edhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe pikërisht për këtë kam iniciuar këtë iniciativë për zgjerimin e fushës së masave kufizuese, për t’iu referuar për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit, dhe trupi koordinues vendosi të përfshijë veprime hibride kundër shtetit. Dhe të lehtësohet procedura ligjore, sipas sistemit juridik të Maqedonisë, për ata persona që janë në listën e zezë, të procedohen në legjislacionin maqedonas”, tha Gërkovska.
Sipas saj, këtë iniciativë e ka mirëpritur edhe koordinatori i Departamentit Amerikan të Shtetit për parandalimin global të korrupsionit, Richard Nephew, me të cilin ka zhvilluar një takim në kuadër të Konferencës së Vendeve nënshkruese të Konventës së OKB-së kundër Korrupsionit në Atlanta të SHBA-së.
Në pyetjen se a pret përkrahje nga opozita për miratimin e këtij ligji, zëvendëskryeministrja Gërkovska theksoi se rrallëherë mund të hasë dikë që do të thotë se nuk e përkrah luftën kundër korrupsionit.
“Por kur bëhet fjalë për zgjidhje konkrete që shkojnë në drejtim të një lufte më efektive kundër korrupsionit, do të shihet se kush është i sinqertë në ato angazhime dhe për kë është thjesht një lajthitje”, theksoi ajo.
Lista e zezë amerikane u riaktuliazua kur më 5 dhjetor, Departamenti i Shtetit e shpalli Angjushevin të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në nivele dukshëm të larta të korrupsionit.
“Gjatë kohës që shërbente si zëvendëskryeministër, Angjushev keqpërdori pozitën e tij zyrtare në favor të interesave të tij private të biznesit, duke minuar besimin e publikut të Maqedonisë së Veriut në institucionet e tyre qeveritare dhe proceset publike”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.
Në listë u shtuan gruaja dhe dy fëmijët e tij.
Në deklaratë thuhet se ky veprim tregon se “SHBA-të qëndrojnë në krah të atyre në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë llogari nga zyrtarët e korruptuar publikë”, ndërsa Angjushev paralajmëroi se do ta apelojë vendimin.
Ndërkohë, kujtojmë se në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, si dhe në raportet e mëparshme, janë shprehur mendime pozitive për punën e komisionit, ndonëse në vitet e fundit, rastet e hapura nga KSHPK-ja shpeshherë janë bërë objekt i “përplasjeve” me gjyqësorin dhe institucionet shtetërore. Komisioni ka reaguar ndaj presioneve në punë dhe prokuroria në një moment ka ngrirë bashkëpunimin me institucionin.
- LEXO: Gërkovska – Nephew: Javën e ardhshme duhet të mblidhet grupi punues për ndryshime në Ligjin për masat kufizuese
- LEXO: Ageler: Shpenzuam 500 milionë dollarë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ajo që shohim është një epidemi korrupsioni
- LEXO: SHBA e vendosi në listë të zezë, Koço Angjushevin, biznesmenin i cili shërbeu si zv.kryeministër
- LEXO: Vendosja e Angjushevit në “listën e zezë” nuk bazohet në dyshime, por në dëshmi, sqaroi amabasadorja Ageler