RMV, një paciente 45-vjeçare ndërroi jetë nga gripi, autoritetet bëjnë thirrje për vaksinim
Bartja e detyrueshme e maskave mbrojtëse në objektet shëndetësore dhe shtëpitë e të moshuarve dhe ndalimi i vizitave në spitalet dhe shtëpitë që kujdesen për të moshuarit, rekomandon Komisioni për Sëmundjet Infektive. Kryetari i Komisionit, Aleksandar Petliçkovski, në një deklaratë për media të dhënë pas seancës së Komisionit, tha se momentalisht ka rritje të numrit të të infektuarve me grip, por se aktualisht nuk ka rrezik për gjendjen e përgjithshme të shëndetit publik, transmeton Portalb.mk.
“Për sa i përket situatës së gripit, aktualisht kemi një rritje të numrit të rasteve krahasuar me javën e kaluar dhe në krahasim me numrin mesatar të rasteve në 13 vitet e fundit. Kemi hyrë në sezonin e gripit dhe duhet të mendojmë sërish për mbrojtjen e personave më të cenueshëm, pra të moshuarve mbi 65 vjeç, personave me sëmundje kronike dhe i ftojmë të vaksinohen nëse nuk e kanë kryer vaksinimin në periudhën e fundit”, tha Petliçkovski.
Gripi, theksoi ai, ka tejkaluar numrin e rasteve me Covid, i cili është në rënie. Sa i përket kollës së mirë, në vend mbeten vetëm dy rastet e regjistruara.
Drejtoresha e Klinikës Infektive, Milena Stevanoviq, ka bërë të ditur se nga fillimi i sezonit gjashtë persona kanë vdekur nga gripi.
“Rasti i fundit, bëhet fjalë për një femër rreth 45/46 vjeç me sëmundje shoqëruese. Për momentin në Klinikën Infektive ndodhen shtatë persona, pesë me konfirmim dhe dy janë në pritje. Gjashtë persona janë shtruar në spital me Covid-19”, shpjegoi Stevanoviq.
Ndryshe, pas festave të fund-vitit, gripi po merr hov dhe qytetarët nuk kanë qetësi as nga variantet e reja të Covid-it, të cilët po përhapen shumë më shpejt se më parë. Raporti i fundit i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) tregon se gjatë javës së parë të vitit 2024, nga data 1 deri më 7 janar, në vend janë raportuar 1.025 raste të të sëmurëve me grip apo sëmundjeve të ngjashme me gripin. Është 2.5 herë më shumë krahasuar me javën e kaluar. Numri i të regjistruarve këtë javë, krahasuar me javën e parë të sezonit të kaluar, është rritur me 24.8 për qind.
Në laboratorin virologjik të ISHP-së kanë mbërritur 37 materiale nga mbikëqyrja rutinë për analiza laboratorike, të testuara paralelisht për gripin dhe Covid-19 (SARS-CoV-2). Në të njëjtën kohë, janë zbuluar 21 raste pozitive të Influenzës, 19 A(H1)pdm09 dhe nga një nga Influenza A(H3) dhe Influenza A – pa nëntipe. U regjistrua gjithashtu nga një pacient me virus sincicial respirator (RSV) dhe SARS-CoV-2.
“Për herë të parë këtë sezon, incidenca e raportuar është mbi kufirin javor të aktivitetit sezonal të virusit të gripit, pra është arritur pragu i hyrjes në sezonin e gripit”, thonë nga ISHP.
Numri më i madh i të infektuarve – 544 persona janë të moshës 15-64 vjeç, 233 mostra janë nga fëmijët e moshës 5-14 vjeç, 185 janë fëmijë të moshës 0-4 vjeç dhe 63 raste janë regjistruar tek personat mbi 65 vjeç. Incidenca më e lartë është regjistruar tek fëmijët nën moshën katër vjeç.
Dy vdekje
Më së shumti raste të gripit janë në Shkup, Dibër, Gostivar, Shtip dhe Manastir.
“Gjatë kësaj jave janë regjistruar dy vdekje të lidhura me gripin. Bëhet fjalë për personat e moshës 56 dhe 61 vjeçare nga Shkupi dhe Kumanova, të cilët janë shtruar në Klinikën e Pulmologjisë dhe Alergologjisë. Te personat e vdekur u konstatua prania e sëmundjeve shoqëruese – kardiovaskulare dhe pulmonare dhe nuk ishin vaksinuar me vaksinë kundër gripit sezonal. “Influenza A(H1)pdm09 është konfirmuar në laborator te personat e vdekur”, thekson IShP.
Vaksina për mbrojtjen më efektive
Vaksinimi kundër gripit sezonal është mbrojtja më efektive kundër kësaj sëmundjeje. Instituti i Shëndetit Publik rekomandon vaksinimin e të gjithë popullatës, veçanërisht personave nga grupet e rrezikut – personat mbi 65 vjeç, fëmijët, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, si dhe punonjësit e shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë ofroi një vaksinë katërvalente falas prej 60 mijë dozash, të destinuara për grupet prioritare të popullsisë. 15,000 doza shtesë janë siguruar përmes dhurimit.
Vaksinimi kundër gripit sezonal ka filluar më 25.10.2023. Në javën e parë të këtij viti janë vaksinuar gjithsej 60.766 persona me vaksinë falas ose komerciale.
Komisioni për Sëmundjet Infektive njoftoi se do të jetë në seancë këto ditë, por se nuk ka asgjë alarmante për kollën e madhe, COVID dhe gripin. Në fund të shkurtit pritet kulmi i sezonit të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin.