Osmani: Për personat nga “lista e zezë” e SHBA-ve do të ketë masa kufizuese edhe në vendin tonë
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot prezantoi ndryshimet në Ligjin për masa kufizuese, të cilat do të zbatohen edhe në Maqedoninë e Veriut për personat që janë në “listën e zezë” të SHBA-së. Personat që do të jenë në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara për korrupsion, krim të organizuar, shpërdorim detyre dhe kërcënime hibride do të përballen me pezullimin e përkohshëm të pozicionit që mbajnë, do t’u ndalohet të marrin pjesë në tenderë deri në aktgjykimin e formës së prerë, ndërsa në lojë mbetet edhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, transmeton Portalb.mk.
Qeveria do të diskutojë për ndryshimet ligjore në seancën e ardhshme të martën, ndërsa një javë më vonë do të duhet të dalin para deputetëve në Kuvendin e RMV-së.
“Propozojmë me këto ndryshime të ligjit që të shtohet si bazë për vendosjen e masave kufizuese nga shteti dhe aktet ligjore të Shteteve të Bashkuara dhe aktet ligjore të Mbretërisë së Bashkuar. Me këtë, përveç Këshillit të Sigurimit dhe Bashkimit Evropian, tani edhe aktet juridike të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar janë bazë e vlefshme për vendosjen e masave kufizuese”, tha sot Bujar Osmani.
Me ndryshimet ligjore, prokuroria do të duhet të nisë një procedurë për një person që është në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara, nëse qeveria do të kërkojë një gjë të tillë. Me fillimin e procedurës nga prokuroria është planifikuar të fillojë procedura për konfiskimin e pasurisë së qytetarëve që janë nën sanksionet e SHBA-së.
Osmani shpreson se ndryshime të tilla ligjore do të miratohen shpejt në Kuvend nga deputetët, por edhe askush nuk do t’i lejojë vetes ta bllokojë ligjin, pavarësisht nëse do të ketë flamur evropian apo jo.
Kjo deklaratë e Osmanit vjen dy javë pasi Qeveria njoftoi para Vitit të Ri se Trupi Koordinues për Analizën dhe Forcimin e Legjislacionit në Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbajtur mbledhje, ku është diskutuar mundësia e forcimit të masave kufizuese lidhur me listën e sanksioneve të SHBA-së.
“Propozimi për ndryshime në Ligjin për masat kufizuese është me iniciativë të zëvendëskryeministres përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Slavica Grkovska, për të mundësuar sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmit dhe kërcënimeve hibride, që mund të aplikohen në vendin tonë dhe subjektet e mbuluara i nënshtrohen sanksioneve sipas legjislacionit të brendshëm”, njoftoi Qeveria në fund të dhjetorit.
Ndryshe, Koço Angjushev, Orce Kamçev, Ramiz Merko, Sasho Mijalkov, Nikolla Gruevski janë vetëm disa nga personat që janë futur në “listën e zezë” të SHBA-së në periudhën e fundit. Biznesmeni dhe ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev ishte i fundit në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion masiv, siç bëhet e ditur në njoftimin e Departamentit të Shtetit. Atij iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara në dhjetor 2023.
Në listë u shtuan gruaja dhe dy fëmijët e tij.
Në deklaratë thuhet se ky veprim tregon se “SHBA-të qëndrojnë në krah të atyre në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë llogari nga zyrtarët e korruptuar publikë”, ndërsa Angjushev paralajmëroi se do ta apelojë vendimin.
Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit tashmë janë EDHE Ljube Boshkovski, Menduh Thaçi, Xhevat Ademi, Kastriot Haxhirexha, Nevzat Halili, Gafur Adili, Nuri Bexheti, Xhavit Hasani, Xhezair Shaqiri, Daut Rexhepi dhe Xhemail Hiseni. Ndërsa në vitin 2003 nga presidenti Bush, nga kjo listë u hoqën emrat e Ali Ahmetit, Fazli Veliut dhe Hysni Shaqirit.
Lista e zezë përbën një mekanizëm të mirë në vendet me korrupsion të lartë. Ky lloj sanksionimi, ndihmon edhe në pastrimin e elitës politike nga dekriminalizimi, çka ndihmon shumë gjithashtu në vetë procesin e reformave në vend, si dhe për rrugën eurointegruese të vendit.
Ndërkohë, kujtojmë se në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, si dhe në raportet e mëparshme, janë shprehur mendime pozitive për punën e komisionit, ndonëse në vitet e fundit, rastet e hapura nga KSHPK-ja shpeshherë janë bërë objekt i “përplasjeve” me gjyqësorin dhe institucionet shtetërore. Komisioni ka reaguar ndaj presioneve në punë dhe prokuroria në një moment ka ngrirë bashkëpunimin me institucionin.