Osmani: BDI e hapur për bashkëpunim me të pakënaqurit nga Besa, pothuajse i gjithë “gupi i zjarrit” qëndroi me ne

Duke komentuar zhvillimet e fundit brenda partisë, nënkryetari i ri i BDI-së, Bujar Osmani, thekson se shumica e anëtarëve të të ashtuquajturit “grupi i zjarrit”, jo vetëm që nuk u largua nga partia por morën pjesë edhe në seancën e fundit të Këshillit të përgjithshëm. Ai thotë se në të kanë qenë Nevzat Bejta dhe Blerim Bexheti. Asnjëri prej tyre, përfshirë edhe Musa Xhaferin, i cili nuk ishte në seancë, nuk deklaroi se po planifikonte apo do të ishte anëtar i ndonjë opsioni tjetër politik, transmeton Portalb.mk.

“Sigurisht që do të duhet të flasësh me ta. Por fakti që ata ishin në seancë dhe nuk përmendën fare se janë pjesë e disa lëvizjeve të reja, strukturave të reja, organizimeve të reja, lë hapësirë ​​që debati të vazhdojë në parti, dhe të shohim bashkërisht se çfarë do të bëjmë më pas”, tha Osmani në paraqitjen për emisionin “Summerclick” në TV 21.


Ai është i interesuar edhe për zhvillimin e ngjarjeve në kampusin opozitar, ku ka një numër të madh të anëtarëve të pakënaqur, veçanërisht anëtarëve të Besës, të cilët edhe publikisht u shkëputën nga partia e tyre pasi kryetari i tyre Bilall Kasami njoftoi se po fillon bisedimet për bashkimin e frontit me kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi dhe përfaqësuesin e “grupit të zjarrit”, Izet Mexhiti. Ai thotë se BDI-ja nuk ka kontakte me ta, por, sipas tij, kjo hap një mundësi për të biseduar me ta dhe për të dëgjuar mendimet dhe idetë e tyre.

“Nuk kemi biseduar deri më tani, por sigurisht që ia vlen të flasim sepse BDI po udhëheq idenë e formimit të frontit evropian. Vlerësimi ynë është se është koha për përqendrimin e energjisë evropiane në vend sepse shoqëria është e polarizuar. Në të kaluarën ka pasur debate për tema të ndryshme dhe tani duhet të sqarohet se kush është për Evropën dhe kush dëshiron ta mbajë peng vendin duke ndryshuar kursin strategjik të vendit”, theksoi Osmani.

Sipas tij, njoftimet për parti dhe lëvizje të reja politike nuk bazohen në asnjë platformë, por kanë për qëllim vetëm të kundërshtojnë konceptin që po e promovojnë BDI dhe lideri Ahmeti.

Kujtojmë se kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, dhe deputeti i pavarur, Izet Mexhiti, janë takuar dje për të rritur bashkëpunimin drejt një force të përbashkët opozitare.

Ata raportuan pas takimit për “unifikim të zërit opozitar”, “front të përbashkët opozitar”, “për mundësitë e zgjerimit dhe fuqizimit të frontit opozitar shqiptar”, ashtu që Gashi shtoi që u diskutua edhe për program parazgjedhor, ashtu që “në zgjedhjet e reja qeveri e re”.

Kasami theksoi që ditëve në vijim do të ketë detaje tjera të bashkëpunimit, ndërsa Mexhiti premtoi që “rrugëtimi ynë i sinqertë vazhdon”.

Ndërkohë, anëtari dhe ish-ministri i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha, ka paralajmëroi fraksion te ky subjekt politike, fraksion i cili nuk do të jetë në vijë të njëjtë me politikat e bashkëpunimit opozitar të kryetarit Bilall Kasami. Në këtë fraksion paralajmërohet edhe bashkangjitja e Fadil Zendelit dhe Basri Bajramit.

“Nga sot distancohem plotësisht nga veprimet politike në të ashtuquajturin “bllok opozitar” duke vlerësuar se aktorët kryesor, bartës të kësaj nisme nuk kanë për qëllim rotacionin politik, por thjesht “lavazhin” e figurave politike të cilët jo shumë larg nga sot ishin pikërisht aktorë për mbajtjen gjallë të qeverisjes aktuale dhe parandaluan rotacionin në kampin politik shqiptar”, deklaroi Hoxha, duke paralajmëruar që ditëve në vazhdim do të tregon hapat e mëtutjeshëm.

Ndryshe, pas njoftimit të Izet Mexhitit se me formimin e Lëvizjes së Re do të punojnë në formimin e frontit opozitar shqiptar, filluan edhe aktivitetet fillestare për bashkëpunim me Lëvizjen BESA dhe Alternativën. Deputeti i Fadil Zendeli ditë më parë tha se ka shumë hapësirë për krijimin e frontit opozitar shqiptar, i cili do t’u bënte ballë të gjitha skandaleve si dhe dyshimeve aktuale për punë joligjore të pushtetit.

Deputeti i Alternativës, Hysni Ismaili thekson se ka pasur takim fillestar mes kryetarëve të partive opozitare dhe Izet Mexhitit dhe shton se për momentin po bëhet konsolidimi i parimeve dhe rrugëtimit që do të ndjekin së bashku.

Ndryshe, aktivitetet për themelimin e subjektit të ri politik në Maqedoninë e Veriut i filloi Izet Mexhiti në hapësirat e Komunës së Çairit. Aty ai ishte i shoqëruar ndër të tjera edhe nga deputeti Kastriot Rexhepi, deputetja Merita Koxhaxhiku, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe personalitet tjera.

Pas mbledhjes së mbajtur rreth gjysmë ore, nismëtarët për themelimin e lëvizjes së re, paralajmëruan që më 13 gusht do të themelohet kjo parti, duke mos specifikuar emrin e nismës.