Mijëra mercenarë të Wagner-it kanë mbërritur në Bjellorusi që nga rebelimi i dështuar
Mijëra mercenarë të grupit të lidhur me Rusinë, Wagner, kanë mbërritur në Bjellorusi që nga rebelimi jetëshkurtër i këtij grupi, ka thënë të hënën një grup vëzhgues ushtarak, transmeton REL.
Besohet se 3.450 deri në 3.650 ushtarë kanë shkuar në një kamp afër Asipovichy, një qytet 230 kilometra në veri të kufirit ukrainas, sipas Belaruski Hajun, grupit i cili i gjurmon lëvizjet e trupave ushtarake brenda vendit.
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i mirëpriti forcat e Wagner-it në vendin e tij, pasi e kishte ndërmjetësuar një marrëveshje mes Kremlinit dhe shefit mercenar Yevgeny Prigozhin muajin e kaluar, duke i dhënë fund rebelimit të dështuar të grupit kundër liderëve të ushtrisë ruse.
Shefi i Wagner-it e quajti rebelimin “marshi i drejtësisë” për t’i rrëzuar liderët kryesorë ushtarakë. Mercenarët u përballën me qëndresë të vogël dhe i rrëzuan të paktën gjashtë helikopter ushtarakë dhe një aeroplan luftarak, duke i vrarë një numër ushtarësh rusë.