Një ari u godit nga vetura në autostradën Shkup–Tetovë
Një ari ka ngordhur pasi është goditur nga një veturë e tipit “Volvo” në autostradën Shkup–Tetovë, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.
“Më 23.10.2026, rreth orës 22:15, SPB Shkup është njoftuar se në autostradën Shkup–Tetovë, një automjet i tipit „Volvo“ me targa të Gostivarit, i drejtuar nga 36-vjeçari J.D. nga Gostivari, është përplasur me një kafshë të egër – ari”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Sipas njoftimit të MPB-së, veterineri i Kopshtit Zoologjik të Shkupit ka konstatuar ngordhjen e ariut, ndërsa policia ka kryer kontroll në vendin e ngjarjes.