Nga 1 janari do të shtrenjtohet nga 40 në 60 denarë participimi që paguajnë qytetarët në RMV për shërbimet shëndetësore

Shëërbim shëndetësor për të cilin qytetarët aktualisht paguajnë 40 denarë do të kushtojë 60 denarë nga 1 janari, njoftoi sot Sasho Klekovski, drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSH), në një takim me mediat, transmeton Portalb.mk.

Klekovski tha se pas një vonese dhjetëvjeçare, kanë vendosur të rrisin çmimet referuese për paketën bazë specialistike dhe paketën interniste në institucionet shëndetësore në sektorin publik dhe privat. Një kontroll specialistik sipas listës së çmimeve të Fondit më parë ishte 380 denarë, tani është rritur në 720 denarë.

“Do të ketë rritje simbolike të pjesëmarrjes (participimit) për qytetarët, po flasim për rritje prej dhjetë denarësh. Më lejoni të sqaroj, këto nuk do të jenë para të reja që do të marrin institucionet shëndetësore, por do të ndryshojë vetëm përqindja e realizimit. Ata na faturojnë shërbime, shumica e tyre janë nën 80 përqind justifikim i buxhetit me një faturë të plotësuar. Ankesa ishte se nuk mund ta përmbushin buxhetin sepse shërbimet janë shumë të lira. Tani po i rrisim çmimet dhe kështu ofrojmë një mundësi për të valorizuar punën”, tha Klekovski.

Ndër të tjera, një kontroll specialistik me një tampon, deri më tani i kushtonte institucionit 400 denarë, ndërsa tani do të kushtojë 750 denarë, një paketë e përgjithshme emergjente nga 780 po rritet në 2.450 denarë, dhe një eko e një organi nga 300 po rritet në 670 denarë.