Kontrolle të rrepta për mjekët amë në RMV, në fokus ata që përshkruajnë shumë antibiotikë dhe barna kundër ankthit

Fondi i Sigurimit Shëndetësor po hyn në një fazë më të rreptë të funksionimit, ku nga mjekët e kujdesit parësor pritet angazhim më i madh dhe respektim strikt i rregullave. Drejtori i institucionit, Sasho Klekovski, bëri të ditur se pas përmirësimit të kushteve financiare për mjekët familjarë gjatë vitit të kaluar, tani fokusi do të jetë te përgjegjshmëria profesionale. Sipas tij, do të zbatohet pa përjashtim sistemi i sanksioneve për ata mjekë që tejkalojnë kufijtë e lejuar në përshkrimin e antibiotikëve dhe barnave kundër ankthit. Ai shtoi se kontrollet do të shtrihen edhe në fushën e pushimeve mjekësore, ku janë evidentuar keqpërdorime, transmeton Portalb.mk.

Klekovski theksoi se masat e reja nuk kanë për qëllim vetëm ndëshkimin, por edhe mbrojtjen e mjekëve nga presioni i pacientëve që kërkojnë barna pa bazë mjekësore. Sipas tij, ndërgjegjësimi i qytetarëve është thelbësor për të frenuar këtë fenomen.

Një shqetësim i veçantë për Fondin mbetet përdorimi i antibiotikut Sumamed, i cili duhet të rezervohet për raste të veçanta, ndërkohë që statistikat tregojnë se gjatë vitit të kaluar përdorimi i tij është rritur ndjeshëm, me mbi 20 për qind.

“Sistemi do t’i mbrojë gjithashtu mjekët nga presioni për të përshkruar terapi të gatshme, sepse e dimë që ndonjëherë presioni vjen nga qytetarë që duan të marrin një ilaç pavarësisht nëse është i përshtatshëm për indikacionin e tyre. Forcimi i ndërgjegjësimit publik është gjithashtu i rëndësishëm. Për ne, më kritiku është përdorimi i Sumamed, i cili duhet të jetë një antibiotik për vijën e fundit të mbrojtjes, dhe vitin e kaluar patëm një rritje prej 23 për qind në përdorimin e tij”, tha Sasho Klekovski, drejtor i Fondit Shëndetësor.