OEMVP me kryetar të ri, pasi i kaluari do të kandidojë në zgjedhjet lokale
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore do të ketë kryetar të ri, pasi kryetari aktual Mendi Qyra paraqiti dorëheqjen, transmeton Portalb.mk.
“Këshilli drejtues me konsensus të plotë, nga nënkryetarët zgjodhi z. Nuhi Aliun për ushtrues detyre të Kryetarit të OEMVP-së për të vazhduar me mbarëvajtjen e punës së OEMVP-së deri në përfundim të mandatit”, raportuan nga OEMVP-ja.
Kjo ishte mbledhja e katërt e Këshillit Drejtues, ku mori pjesë edhe Drejtori Ekzekutiv Durim Zekiri dhe Këshilli Mbikëqyrës.
Pika e fundit e rendit të ditës ishe dorëheqje e Mendi Qyrës nga posti i Kryetarit të OEMVP-së, pasi ky i fundit do të kandidojë për në zgjedhjet e ardhshme lokale në Strugë. Ai falënderoi anëtarët e Odës.
Në zgjedhjet e ardhshme lokale për Komunën e Strugës do të garojë edhe biznesmeni Mendi Qyra. Ai më 30 qershor e ka shpallur kandidaturën për kryetar komune. Ai ka ushtruar detyrën e kryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, ku kompania e tij “Trim&Lum” është anëtare.
Kandidaturën e Qyrës publikisht e ka mbështetur koalicioni i partive shqiptare VLEN. Kundërkanditat do të ketë një emër nga ASH-ja e Ziadin Selës, emër i cili do të mbështetet edhe nga BDI-ja. Kjo e fundit udhëheq me Komunën e Strugës përmes kryetarit Ramiz Merko.