OBSH thotë se 32 foshnje nuk janë evakuuar nga spitali më i madh në Gazë
Ekipi i Kombeve të Bashkuara tha sot se 291 pacientë kanë mbetur në spitalin më të madh në Gazë, pasi trupat izraelite evakuuan pacientët e tjerë. Në mesin e atyre që kanë mbetur në spital janë 32 foshnje në gjendje jashtëzakonisht kritike, pacientë me plagë jashtëzakonisht të infektuara dhe ata që kanë lëndime në shtyllën kurrizore dhe nuk mund të lëvizin, transmeton REL.
Ekipi i OKB-së ishte në gjendje të qëndronte në spitalin Shifa për një orë pasi pothuajse 2.500 persona të zhvendosur, pacientë që mund të lëviznin dhe stafi mjekësor u larguan nga ndërtesa e spitalit mëngjesin e së shtunës, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë, që udhëhoqi këtë mision. OBSH tha se 25 pjesëtarë të stafit shëndetësor janë ende në spital, së bashku me pacientët.
“Pacientët dhe stafi mjekësor, me të cilët kemi biseduar, ishin të tmerruar për sigurinë dhe shëndetin e tyre dhe na u lutën për evakuim”, tha agjencia, duke e përshkruar Shifan si zonë të vdekjes. Kjo agjenci tha se edhe më shumë ekipe do të tentojnë të shkojnë në Shifa në ditët në vijim, në tentim për të evakuuar pacientët në jug të Gazës, ku spitalet po ashtu janë të mbingarkuara.
Izraeli për një kohë të gjatë ka pretenduar se Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka një qendër komanduese brenda dhe nën Shifa. Izraeli e ka përshkruar spitalin si cak kyç të luftës së tij për t’i dhënë fund sundimit të Hamasit në Gazë, pas sulmeve të grupit ekstremist në jug të Izraelit gjashtë javë më parë, sulme që nxitën luftën.
Hamasi dhe stafi i spitalit mohojnë këto pretendime. Trupat izraelite që gjenden në spital, për ditë të tëra po kryejnë bastisje në ndërtesë. Trupat kanë pretenduar se kanë gjetur pistoleta dhe armë të tjera dhe u kanë treguar gazetarëve hyrjen e një tuneli. Por, këto pretendime të ushtrisë izraelite nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Largimet masive të shtunën nga spitali nga Izraeli u përshkruan si largime vullnetare. Por, OBSH-ja tha se ushtria kishte lëshuar urdhër për evakuim dhe disa prej të larguarve e përshkruan situatën si eksod me forcë.
Gjetkë në veri të Gazës, dhjetëra persona janë vrarë në kampin e refugjatëve Xhabalija, ku sipas dëshmitarëve një sulm izraelit godit vendstrehimin e OKB-së të shtunën. Si pasojë e sulmit ajror u shkatërrua një shkollë në këtë kamp, thanë të mbijetuarit.
Ushtria izraelite, që vazhdimisht u ka bërë thirrje palestinezëve që të largohen nga veriu i Gazës, tha se trupat e saj ishin aktive në këtë zonë “me synim për të shënjestruar terroristët”.
Në jug të Gazës, një sulm ajror izraelit goditi një kompleks banimi në Han Junis të shtunën, duke lënë të vrarë të paktën 26 palestinezë, sipas mjekëve në spitalin ku u dërguan viktimat.
Mbi 11.500 palestinezë janë vrarë, sipas të dhënave të paraqitura nga autoritetet shëndetësore palestineze. Edhe 2.700 të tjerë janë raportuar të zhdukur dhe të cilët besohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Në shifrat e viktimave, të paraqitura nga autoritetet shëndetësore në Gazë, nuk bëhet dallimi midis civilëve dhe luftëtarëve të Hamasit. Izraeli ka thënë se ka vrarë mijëra luftëtarë të Hamasit.
Ndërkaq, afër 1.200 persona janë vrarë në Izrael, shumica civilë, gjatë sulmeve të 7 tetorit të Hamasit. Hamasi po ashtu ka kapur pengje afër 240 persona. Ushtria izraelite ka thënë se gjatë luftës i janë vrarë 52 ushtarë.
Deri më tani, Hamasi ka liruar katër pengje, Izraeli ka shpëtuar një dhe trupat e pajetë të dy pengjeve janë gjetur afër spitalit Shifa, zonë ku ka pasur luftime të ashpra.
Izraeli, SHBA-ja dhe Katari, i cili ndërmjetëson me Hamasin, kanë negociuar për javë të tëra për lirimin e pengjeve. Të shtunën një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë sugjeroi se lirimi i pengjeve duhet të përfundojë përpara se në Gazën e rrethuar nga Izraeli të hyjë ndihma humanitare për 2.3 milionë palestinezët që jetojnë në këtë territor.