Një paradigmë e re e OSBE-së

Në fund të nëntorit, Maqedonia e Veriut do të jetë mikpritëse e takimit të nivelit të lartë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Diplomatë, kryetarë të qeverive dhe ekspertë do të marrin pjesë në këtë forum për të diskutuar sfidat e kohës dhe perspektivat e OSBE-së në zgjidhjen e konflikteve në Evropë. Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergey Lavrov, gjithshtu pritet marrë pjesë në takimin në Shkup. “Këshilli i 30-të Ministror i OSBE-së do të mbahet nga 30 nëntor – 1 dhjetor në Shkup”,- thuhet në kumtesën e organizatës. Këshilli Ministror është organi qendror vendimmarrës dhe drejtues i OSBE-së.

“OSBE-ja punon për stabilitet, paqe dhe demokraci për më shumë se një miliard njerëz, përmes dialogut politik për vlerat e përbashkëta dhe përmes punës praktike që synon të bëjë një ndryshim të qëndrueshëm”- thuhet në dokumentet e themelimit të organizatës.

Takimi vjetor është një mundësi për ministrat e Jashtëm të shqyrtojnë dhe vlerësojnë situatën e sigurisë në zonën nga Amerika Veriore, Evropa e deri në Azi, si dhe punën e organizatës në të gjitha fushat e saj. Shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA-ja kanë një paradigmë tjetër se si të parandalohen luftërat e reja në Evropë.

Në ndërkohë, Rusia që para pushtimit të Ukrainës paraqiti disa kërkesa të reja që cënojnë misionin OSBE-së. Kërkesat e Rusisë janë shumë komplekse për t’u konsideruar nga anëtarët e OSBE-së. Analistë të sigurisë kanë thënë se nëse Rusia është e gatshme të angazhohet në negociata diplomatike për të ardhmen e sigurisë evropiane në krahasim me këmbënguljen për pranimin e menjëhershëm të kërkesave të saj nga Perëndimi, ajo (Rusia) duhet të përmbahet nga përdorimi i tyre (kërkesave) si pretekst për luftë ndaj shteteve fqinj. Çështjet e sigurisë evropiane tashmë nuk janë vetëm të BE-së dhe anëtarëve të organizatës që duan të bëhen pjesë e unionit ose që duan t’i bashkohen OSBE-së. OSBE-ja po bën përpjekje të mëdha që përfundimisht shtetet autokrate të kthehen në botën e respektimit të paktën të drejtave themelore të njeriut dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me dialog. Disa kritikë të tjerë evropianë kanë qëndrime më të buta ndaj shteteve si Rusia, Serbia dhe Hungaria. Si një forum i shteteve, sipas tyre OSBE-ja ndoshta është organizata e duhur për të marrë në konsideratë disa nga propozimet ruse.

Megjithatë, OSBE-ja ashtu si OKB-ja ka përparësitë dhe dobësitë për tu përballur me të gjitha çështjet e hapura. Përkundër vështirësive, OSBE-ja është organizata e duhur për të gjitha shtetet që ishin pjesë e Paktit të Varshavës, dhe atyre të ish- hapësirës jugosllave.

Në takimin e Shkupit, OSBE-ja do të mund të riafirmojë për disa qeveri rëndësinë e respektimit së obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Helsinkut (1975).

Për lexuesit e “Portalbit”, duhet të theksohet se OSBE-ja është një organizatë ndër- qeveritare dhe u krijua gjatë Luftës së Ftohtë në fillim të viteve të 70-ta.

Deri më sot në OSBE janë anëtarësuar 57 shtete. OSBE vepron në bazë të konsensusit. Në kontekst të luftës në Ukrainë, propozimet e Rusisë që rënojnë konceptet thelbësore të sigurisë rajonale, në fakt shkelin parimet themelore të vetë OSBE-së. OSBE-ja origjinën e saj e ka në “Aktin Final të Helsinkit” të vitit 1975, në të cilin “shtetet evropiane u zotuan të mbështesin 10 parimet që rregullojnë marrëdhëniet në mes tyre”. OSBE-ja selinë e ka në Vjenë.

Institucionet dhe strukturat e përzgjedhura të OSBE-së përfshijnë: Samitet: që përbëhen nga krerët e shteteve ose qeverive të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së. Ata përcaktojnë prioritetet dhe ofrojnë orientim politik në nivelin më të lartë. Konferencat e rishikimit: Konferencat sigurojnë rishikimin e zbatimit të të gjitha angazhimeve të OSBE-së nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse. Këshilli Ministror: Që përbëhet nga Ministrat e Jashtëm të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së, dhe vepron si organ qendror vendimmarrës dhe drejtues i aktiviteteve të OSBE-së. Këshilli i Lartë: Është përgjegjës për pasqyrën, menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve të OSBE-së. Këshilli i Përhershëm: Është përgjegjës për funksionimin e përditshëm të OSBE-së. Forumi për Bashkëpunim në Siguri (FSC): Negocion dhe konsulton për masa konkrete që synojnë forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në të gjithë Evropën. Kryetari i Zyrës: Është i ngarkuar me përgjegjësinë e përgjithshme për veprimet ekzekutive dhe koordinimin e aktiviteteve aktuale të OSBE-së.

Sekretari i Përgjithshëm dhe Sekretariati: Përbëhet nga katër departamentet e përhershme administrative. Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR):Është përgjegjëse për avancimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Komisioneri i Lartë për Pakicat Kombëtare: Përgjigjet në fazën më të hershme të mundshme ndaj tensioneve etnike që kanë potencial të shndërrohen në një konflikt brenda rajonit të OSBE-së. Përfaqësuesi për Lirinë e Medias: Ndihmon qeveritë në avancimin e mediave të lira, dhe të pavarura.

Koordinatori i Aktiviteteve Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së: Trajton çështjet ekonomike, sociale dhe mjedisore të sigurisë. Misionet e OSBE-së: Shërbejnë si instrumente për parandalimin e konflikteve dhe menaxhimin e krizave në një numër shtetesh pjesëmarrëse. Asambleja Parlamentare e OSBE-së: Mblidhet çdo vit për të shqyrtuar çështje të rëndësishme për legjislaturat kombëtare të shteteve të OSBE-së. Gjykata e Pajtimit dhe e Arbitrazhit: Zgjidh mosmarrëveshjet e paraqitura nga shtetet e OSBE-së.

Në forumin që do të mbahet në fund të nëntorit në Shkup, nuk dihet se a do të mund OSBE-ja dhe shtetet anëtare të mbajnë përgjegjës qeveritë që vazhdojnë të shkelin parimet e organizatës.

Për më shumë, në selinë e OSBE-së në Vjenë shtetet anëtare kanë të akredituar ambasadorët e tyre. Me Marrëveshjen e Helsinkut të vitit 1975 OSBE-ja njihej si “Konferenca për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë” (KSBE). Nga KSBE më 1 janar të vitit 1995 emërohet në OSBE. Më vonë me “Kartën e Parisit” të 21 nëntorit të vitit 1990, dhe pas rënies së Murit të Berlinit u ftuan shtetet e ish- bllokut lindor të bëhen pjesë e organizatës. Si gjuhë zyrtare të OSBE-së për komunikim përdoren, anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja, rusishtja dhe spanjishtja.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.