Nuk ka qëndrim të njeriut më të drejtpërdrejtë me Zotin sesa ai i shprehur përmes agjërimit

Qëllimi i agjërimit është që të arrihet kënaqësia ose dashuria e Zotit. Kjo, në të vërtetë, e shtyn njeriun të agjërojë, që të mbyllet në një formë të tillë të ekzistencës e cila nuk varet nga asnjë faktor i jashtëm.

Nga Hasan Xhillo

Mendimi i njohur se,  “ka aq rrugë deri te Zoti sa ka edhe njerëz”,  flet për individualitetin e qëndrimit të njeriut ndaj Realitetit. Qëndrimi i njeriut ndaj Realitetit, në fakt, mund të jetë i vetëm,  individual. Individualiteti i tij nuk do të thotë se nuk ka edhe kuptim universal. Kuptimi universal tregohet pikërisht në atë se ky qëndrim është individual ose i vlefshëm për të gjithë. Ose – nëse ai është individual për çdokënd, atëherë ai është më universal. Por, universaliteti i tij nuk tregohet në formë të barabartë dhe të unifikuar. Dhe,  për këtë shkak është individual.

Myslimanët këtë qëndrim individual ndaj Zotit më së shumti e përjetojnë me anë të atyre veprimeve fetare të cilat kanë vetëm natyrë individuale. Natyra individuale e agjërimit është shprehur shumë gjatë muajit të Ramazanit, kur myslimanët agjërojnë. Fjalët, hadithet kudsij, janë shembulli më eklatant i kësaj: “Agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të.” Individualiteti i agjërimit tregohet në vetë faktin se ai është tërësisht veprim i brendshëm,  ose tërësisht veprim interier. Interierizimi i këtij akti është konfirmim i individualitetit të njeriut. Ruajtja e individualitetit konsiderohet si karakteristikë fundamentale,  që i mundëson të ruajë identitetin fetar dhe kulturor. Ky individualitet nuk guxon të bëhet masiv,  ose nuk mund të identifikohet me asgjë. Kjo nuk është lëndë sikurse lëndët tjera. Kjo, thjesht, prezanton përmbajtjen. Atë që njeriu e gjen në vetveten e tij,  nuk e gjen në asnjë vend tjetër. Atë që njeriu di për veten e tij, ajo s’është njohuri e ndërmjetësuar me asgjë, për shkak se ajo është njohuri më e drejtpërdrejtë.

Nuk ka qëndrim të njeriut më të drejtpërdrejtë me Zotin sesa ai që është i shprehur përmes agjërimit. Ky është një dialog i brendshëm i njeriut me Zotin. Pasojat e këtij qëndrimi i ndjen njeriu në formën e përmbajtjeve shpirtërore,  të cilat e përmbushin qenien e brendshme të njeriut. Këto përmbajtje e forcojnë “unin” e njeriut, i cili prezanton, në të vërtetë, formën e këtij “uni”. Por, ky “unë”, sipas traditës shpirtërore islame, nuk është parim statik, por ky është parim njohës – këtu mblidhet e tërë qenia e njeriut. Vetëdija për “unin” e tij nuk është kapur për të. Sa më e madhe të jetë vetëdija për këtë unë, aq më e madhe është vetëdija edhe për atë jo-unë. Prandaj, ky unë komunikon, vë lidhje, e kërkon burimin e tij ekzistencial, e nuk është mendim i pastër,  i mbyllur në vetvete. Agjërimi, si dhe përmbajtjet e tjera fetare, kërkon ky “unë” që të transformohet, të tejkalojë vetveten, dhe kështu të mos humbasë thelbin e vet. Nëse ky nuk e tejkalon vetveten, nëse nuk e kërkon parimin e tij ekzistencial, atëherë ky “unë” transformohet në atë ego absolute, për të cilin flasin psikologët, natyra e së cilës është krejtësisht ndryshe nga ajo egoja njohëse dhe ekzistenciale, për të cilën flasin religjionet, e cila është e hapur ndaj Zotit dhe ndaj qenieve të tjera.

Agjërimi i pasuron përmbajtjet e këtij “uni”,  me atë që e liron atë nga vetvetja. Kjo është një dhuratë e dhënë nga Zoti. Në qoftë se ky nuk lirohet nga vetvetja, atëherë transformohet në ego absolute, e cila ka pasoja katastrofale. Religjionet kërkojnë që të forcohet, të jetë parim dinamik; për njeriun kurrë nuk është mjaft që të bëhet njeri. Ai nuk guxon të prehet në vetvete. Për atë agjërimi është një nga mënyrat për të forcuar një vetëdije të tillë: dinamike, e hapur, komunikuese…

Kjo përmbajtje e hapur dhe komunikuese ka një qëllim të vetëm: të arrihet kënaqësia e Allahut  (xh. sh.).  Këtu përjashtohet çdo lloj utilitarizmi; për atë në një hadith kudsij thuhet se “agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të”.   Për myslimanin nuk ka asgjë më të vlefshme sesa të realizojë qëllimin e agjërimit. Qëllimi i agjërimit është që të arrihet kënaqësia ose dashuria e Zotit. Kjo, në të vërtetë, e shtyn njeriun të agjërojë, që të mbyllet në një formë të tillë të ekzistencës e cila nuk varet nga asnjë faktor i jashtëm – kjo paraqet çështjen e cila është individuale, specifike për çdo individ. Nëse kjo është kështu, e ashtu është, atëherë përgjigjen ta lëmë ta japë çdo mysliman që e bart në vetvete.