Nuk ia vlen kompromisi me drejtësinë

Raporti i Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2023 konstaton që nuk ka pasur përparim në fushën e gjyqësisë gjatë periudhës së raportimit. Përmendet në mënyrë të veçantë roli i Këshillit Gjyqësor që duhet të jetë mbrojtja e integritetit të gjyqtarëve, dhe konstatohet që mënyra kontroverse e shkarkimit të kryetares së Këshillit gjyqësor ngren shqetësime për ndikime politike në këtë institucion. RMV kritikohet edhe për vonesën e sjelljes së Strategjisë së re për reforma në gjyqësi dhe për përparim të kufizuar në zbatimin e Strategjisë për burime njerëzore në gjyqësor dhe në prokuri publike.

Për më tepër, Raporti konstaton që në këtë periudhë të raportimit, nuk ka përparim as në fushën e luftës kundër korrupsionit. Korrupsioni mbizotëron në shumë fusha dhe është çështje që ngren shqetësime. Posaçërisht kritikohet ndryshimi ekspeditiv i Kodit Penal në procedurë të prshpejtuar dhe me flamur evropian, që rezultoi me parashkrimin e lëndëve të rëndësishme gjyqësore të profilit të lartë. KE potencon që kjo është çështje që ngren shqetësim serioz.

Kapitulli për sundimin e së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit është me rëndësi jetike në procesin e integrimit të një vendi në Unionin Evropian. Ky proces fillon dhe mbaron me këtë kapitull. Pa sundim të mirrëfilltë të së drejtës ne nuk do të mund të bëhemi pjesë e familjes së madhe evropiane. Ne si shoqëri kemi dështuar të vendosim sundim të mirëfilltë të së drejtës. Ky është dështimi jonë në tërësi si shoqëri, edhe në aspekt institucional, edhe në aspekt qytetar edhe në aspekt nacional. Në të gjitha nivelet kemi treguar mosgatishmëri për të vendosur sundimin e ligjit. Të gjithë kërkojmë mënyra se si t’i ikim drejtësisë, të gjithë kërkojmë të shpëtojmë prej saj si kur duam të çlirohemi nga këpucët e ngushta. Drjetësia këtu për kohë shumë të gjatë është parë si diçka e mërzitshme, si diçka prej të cilës duhet të çlirohemi. Dhe kjo ka qenë kështu për dekada të tëra dhe në të gjitha nivelet institucionale.

Ne ndryshuam ligjin dhe mundësuam që gjyqtarët të mos zgjidhen në Kuvend sepse në këtë mënyrë ishte më e lehtë që të ndikohej politikisht në zgjedhjen e tyre. Krijuam Këshillin gjyqësor, si një organ superior që duhej të garantonte pavarësinë e gjyqësorit. Sot ky institucion ngren shqetësimet e Komisionit Evropian si i ndikuar politikisht.

Ne e ndryshuam edhe Kodin penal dhe vendosëm dënime të rënda për veprat penale të korrupsionit. Krijuam prokurori të specializuara për ndjekjen e këtyre veprave, si Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit e cila kohë më parë nuk denjoi as t’i marë në shqyrtim rastet e korrupsionit që u zbuluan përmes përgjimeve, dhe më pas u detyruam të krijojmë edhe Prokurori speciale për ndjekjen e këtyre rasteve, e cila mbaroi në mënyrë të palavdishme, ku kreu i asaj prokurorie, që duhej t’i ndiqte të tjerët për korrupsion, përfundoi vetë e dënuar për korrupsion! Pastaj sërish e ndryshuam Kodin Penal, edhe atë gjatë procesit të skriningut, dhe i ulëm dënimet për veprat e kësaj natyre. Këto ndryshme i propozi Qeveria, i votoi Kuvendi në mënyrë ekspeditive, opozita nuk i bllokoi, dhe Presidenti e nënshrkoi dekretin për publikimin e tyre në Gazetën zyrtare. Pra në tërësi, institucionalisht kemi dështuar në vendosjen e drejtësisë në të gjitha nivelet dhe në të gjitha degët e pushtetit.

Kritikat në raportin e KE për drejtësinë në RMV mund të shërbejnë si mësim i mirë se me drejtësinë nuk ia vlen të bësh kompromis. Drjetësinë ose e zbaton, ose nuk e zbaton dhe përballesh me pasojat. Në këtë vend, ku gjatë çdo ngërçi politik e para që sakrifikohet është drejtësia, ky është mësim i rëndësishëm për t’u mësuar.

Unioni Evropian nuk do të na pranojë për hatër. Nuk do të mundemi me të njofshëm të marrim nota kaluese. Nuk do të arrijmë përparim të mirëfilltë në këto çështje deri sa si shoqëri me gjithë mend të përkushtohemi në vendosjen e drejtësisë. Çdo raport kritik është mundësi për t’u përmirësuar. Çdo dështim është mundësi e re për të bërë më të mirën herën tjetër. Por ajo që nuk duhet ta bëjmë, është të vazhdojmë ta sakrifikojmë gjithmonë drejtësinë për të kaluar secilën pengesë politike. Sepse si që e shohim, nuk ia vlen të bësh kompromis me drejtësinë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.