Njeriu që e ndoqi ëndrrën e tij…

Një autor i përçmonte enciklopeditë, sepse aty nuk thuhej asgjë për dhembjen njerëzore. Nëpër enciklopedi thuhet se Gjordano Bruno u dogj i gjallë, por nuk thuhet asgjë për klithmat e martirit, derisa zjarri i skëterrshëm ia përzhiste mishrat dhe ia digjte shpirtin.

Në biografinë e letrarizuar Ëndrra amerikane nga Eris Rusi flitet edhe për dhimbjet dhe vuajtjet e njeriut të lirë së brendshmi, Beqir Potkës, i cili e ndoqi ëndrrën e tij jetësore në kohë robërie. Protagonisti, si në veprën danteske, e nisi udhëtimin nga ferri komunist, qëndroi në purgator (jo për të larë mëkate) dhe arriti në Tokën e Premtuar – në SHBA. Akti i guximshëm i protagonistit, që ngulmon dhe rrezikon gjithçka për lirinë e tij, na kujton vargjet e Dantes te Ferri: “Ju nuk jeni krijuar për të jetuar si kafshë, / por për të praktikuar virtytin dhe dijen”.

Dijen dhe virtytin mund ta praktikojmë në liri…

II. Jetëshkrimet që nuk flasin për klithmat dhe dhembjet njerëzore nuk e zgjojnë kureshtjen e lexuesit. Një jetë njerëzore jo domosdoshmërish bëhet subjekt libri, veçanërisht kur i mungon dramaticiteti, kur është e ngathtë, e zakonshme dhe e pushtuar nga rutina. Jeta e Beqir Potkës nuk rëndohet nga rëndomësia. Ajo i ngjan një qilimi të thurur me fije rreziqesh, ngulmimesh, sakrificash, ëndrrash, kujtimesh, dashurish, dhembjesh, prerjesh, vizionesh. Pra, me gjithçka me të cilat operon një shkrimtar.

Kjo biografi mbresëlënëse, ia mundësoi Eris Rusit ta krijonte një libër sa faktografik, po aq edhe letrar, ku flitet për një forcë të çuditshme dhe të mistershme që njeriun e shtyn të rrezikojë për ta realizuar një ëndërr njerëzore dhe sublime…

III. Beqir Potka ishte 23 vjeçar kur në vitin 1989 vendosi ta ndiqte ëndrrën e tij. I damkosur nga regjimi, pas arrestimit të të atit (sepse regjimet diktatoriale shërbehen me ligje mesjetare dhe kolektive), ai vendosi ta braktiste Shqipërinë, jo se nuk e deshi atdheun, por pse nuk e duroi robërinë e regjimit të egër. Mister Potka nuk deshi të bëhej pjesë e kolektivizimit që i ndrydh vullnetet personale dhe prodhon klone. Në sytë e të riut Shqipëria komuniste “ishte e zymtë, e trishtë, e lodhur, e uritur, e pangrënë, politike, komuniste, hakmarrëse”.

“Nuk kishte logjikë më vrastare për shpirtin e lirë, sesa të hiqje dorë nga ajo që ishte e jotja, për të cilën kishe luftuar çdo ditë të jetës, e këtë t’ia jepje shtetit që ai të bënte ç’të donte me të”, thotë ai.

Pas arratisjes s’dihej asgjë për protagonistin. Ta kaloje kufirin e një shteti diktatorial ishte si të provoje ta kaloje kufirin ndërmjet jetës dhe vdekjes…

IV. Jeta ndonjëherë shkruan vepra me fund të lumtur. E tillë është vepra jetësore e Beqir Potka-s, i cili kontribuoi për pavarësinë e Kosovës dhe ndihmoi për sjelljen e eshtrave të Faik Konicës në atdhe. Meritat për njohjen e kësaj historie njerëzore i takojnë Eris Rusit, i cili synon të depërtojë sa më thellë në qenien, ëndrrat dhe pasionet e protagonistit. Sipas Cvajgut, nëse Magelani e bëri heroizmin, ishte Pigafeta që e afirmoi këtë heroizëm; nëse eksplorimet i bëri Kolombi, ishte Huan de la Koza që i përjetësoi; nëse aventurat i bëri Vasko de Gama, për to mësojmë nga Zhoao de Barosi. Horati duhej të jetonte që të rrëfente për bëmat e Hamletit. Ishte Marin Barleti që i përjetësoi bëmat e Skënderbeut…

V. Ky libër, ku rrëfejnë autori dhe protagonisti, është biografi e letrarizuar – një zhanër që e përsosi Stefan Cvajgu, por ka pjesë që ngjajnë si vepër letrare ku miksohen elemente zhanresh të ndryshme dhe rrëfime të narratorit e personazhit.

Në libër nuk flitet vetëm për një histori personale, por edhe për historinë e një vendi të lashtë, që bëri sakrifica të mëdha për lirinë e tij, por edhe për regjimin e egër komunist, i cili synonte t’i pronësonte edhe shpirtrat e njerëzve.

“Mirëmëngjesi, jam Shteti, dua të marrë tokat e tua. Dua të marr shtëpinë tënde. Dua të marr emrin tënd. Dua të marr jetën tënde! Nuk pyes fare, unë jam shteti! Unë shtetëzoj!”

Në këtë libër flitet edhe për Shqipërinë aktuale, ku tani nuk mungojnë lojërat e lirisë edhe pse, si në çdo shtet postkomunist, e kemi ende edhe vetëdijen komuniste. Sepse, siç tha një mendimtar, në çdo shtet totalitar ka vetëdije paratotalitare, ashtu sikurse në çdo shtet post-totalitar mbetet vetëdija totalitare…

VI. Nëse autori do të fliste për një personazh me emër të trilluar, atëherë do të kishim përshtypjen se libri është vepër letrare për njeriun që ndjek ëndrrën e tij. Ai është i zhgënjyer me botën e egër që e rrethon dhe të cilën e dëshiron ndryshe nga çfarë është – të fisme dhe të lirë. Botën që e ka braktisur fillon ta adhurojë nga largësia. Se sado që zhgënjehemi me atdheun, vjen dita kur zëri misterioz i tij arrin kudo ku jetojmë. Bashkë me këtë zë rikthehen kujtimet nga ishulli i pafajësisë – fëmijëria. Rikthehen zërat e njerëzve të dashur, që na shfaqen në formë ëndrrash, hijesh, fanitjesh.

“Shqipëria… është vendi ku ka mbetur një pjesë e shpirtit tim kur u arratisa. Unë nuk iu largova vendit, natyrës, të afërmve. Unë guxova të zgjedh mes ferrit komunist dhe lirisë, por asnjëherë nuk hoqa dorë së dashuri vendin tim”…

VII. Si përfundim, mund të themi se Ëndrra amerikane është libër për Beqir Potkën, sot biznesmen i suksesshëm në Shtetet e Bashkuara, i cili e dalloi regjimin nga atdheu, sepse regjimet janë të përkohshme, kurse atdheu është i përhershëm. Është libër për “një djalë nga Lavdari, që e shtroi me qilima krejt Amerikën”.  Është libër për një njeri të lirë së brendshmi, i cili, me shembullin e tij, dëshmoi se rruga drejt Olimpit të suksesit është rrugë me gjemba.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.