ChatGPT të përdoret për të mbledhur informacione, jo për të kopjuar ese dhe tekste, porosisin studentët e RMV-së

Përdorimi i “Chatbot”-eve si Chat GPT është një nga risitë që përdoren nga studentët e RMV-së për të gjetur informacione dhe për tu ndihmuar në sfera të ndryshme por, mundësia e keqpërdorimit të tyre për plagjiaturë hap debatin se a duhet lejuar përdorimi i tyre në universitete. Ministria e Arsimit dhe Shkencës thotë se nuk ka rregullativë ligjore për lejimin e përdorimit të inteligjencës artificiale në arsim, ndërkaq të rinjtë me të cilët bisedoi Portalb.mk mendojnë se chatbot-et nuk duhet të përdoren për t’u shprehur dhe për të kopjuar ese dhe tekste akademike, por të shfrytëzohen si mjete për të marrë informacione gjatë studimit të tyre.

Për të kuptuar më shumë për rreth mënyrës se si të rinjtë i përdorin risitë e reja të Inteligjencës Artificiale (IA), Portalb.mk bisedoi me Risto Saveski-n ,kryetarin e Forumit Rinor Arsimor (MOF), me Albana Rijani-n, studente e Biologjisë Molekulare dhe Gjenetikës në universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” dhe Blerta Ejupi-n, e diplomuar në Fakultetin për Art dhe Dizajn në “Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik”.

Kryetari i Forumit Rinor Arsimor (MOF), Risto Saveski tha se Chatbot-et si Chat GPT duhet të jenë vetëm një mjet drejtimi për të kërkuar burime dhe literaturë shtesë.

“Chat GPT është një mjet i shkëlqyer që mund të përdoret në procesin arsimor, veçanërisht në arsimin e lartë. Megjithatë, ai duhet të jetë vetëm një mjet drejtimi, një mjet që mund të përdoret për të kërkuar burime. Ashtu si më parë, bibliotekat u përdorën për të kërkuar literaturë shtesë, informacion, të dhëna dhe burime të tjera, sot gjithçka është e disponueshme për ne duke kërkuar në internet. Chat GPT është hapi tjetër në atë evolucion kërkimor. Mund të zvogëlojë kohën tonë për sa i përket kërkimit të burimeve dhe literaturës shtesë”, tha Saveski.

Ai gjithashtu shtoi se ndalimi i përdorimit të Chat GPT vetëm do të inkurajojë të rinjtë për të gjetur mënyra tjera për keqpërdorimin e tij.

Kryetari i FAR, Risto Saveski; Foto: Meta.mk
Kryetari i FAR, Risto Saveski; Foto: Meta.mk

“Ndalimi i përdorimit të Chat GPT-së do të inkurajojë vetëm mënyra kreative të keqpërdorimit të tij. Përkundrazi, mjedisi akademik duhet të sensibilizohet me tendencat dhe risitë teknologjike dhe të drejtojë përdorimin e Chat GPT. Profesorët dhe shërbimet universitare të ofrojnë drejtim dhe trajnim për studentët se si dhe në çfarë mënyre duhet të përdorin Chat GPT, pa kompromentuar studimin dhe hulumtimin.”, theksoi Saveski.

Sa i përket mundësisë së keqpërdorimi të chatbot-eve për plagjiaturë, Saveski tha se kopjimi i teksteve të tjerëve tregon se interesi jonë si studentë është që t’i kryejmë detyrat dhe jo në fakt për të mësuar.

“Të shkruarit dhe të mësuarit është një proces që na largon nga rehatia dhe duhet të jetë i vështirë dhe të krijojë një ndjenjë antagonizmi. Siç më tha profesori Nenad Markoviq në një ligjëratë: “Mësimi duhet të jetë i vështirë. Duhet t’ju krijojë një ndjenjë shqetësimi për të kuptuar se jeni në procesin e të mësuarit”. Prandaj, kopjimi i teksteve të të tjerëve tregon interesin tonë si studiues dhe si studentë, që nuk duam të mësojmë, por vetëm të kryejmë detyra; për të shkruar tekstin; punimin seminarik, madje edhe punimin e diplomimit”, tha Saveski.

Ai gjithashtu theksoi se përdorimi i i teksteve të postuara dhe të finalizuara nga Chat GPT, të cilat studentët i kanë modifikuar vetëm pak, është gjithashtu një akt plagjiaturë.

Albana Rijani, studente e Biologjisë Molekulare dhe Gjenetikës në universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, foto nga profili i saj në Instagram
Albana Rijani, studente e Biologjisë Molekulare dhe Gjenetikës në universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, foto nga profili i saj në Instagram

Albana Rijani, studente e vitit të tretë e Biologjisë Molekulare dhe Gjenetikës në universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”  për mënyrën se si ajo e përdor Chat GPT tha se e përdor përpara provimeve kur përgatitet për provim dhe për shpjegim shtesë të ndonjë koncepti.

“Chat GPT e përdor por jo edhe aq shumë, më shpesh e përdor kur jam duke mësuar për provime dhe e përdor në rast se nuk kuptoj ndonjë koncept domethënë e përdor për më shumë sqarim”, tha Rijani për Portalb.mk.

Sa i përket lejimit të përdorimi të aplikacioneve të tilla, ajo tha se duhet lejuar mirëpo me qëllim për lehtësimin e studimeve dhe jo për marrjen e informatave siç i jep Chat GPt.

Blerta Ejupi, e diplomuar në Fakultetin e Artit dhe Dizajnit në “Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik”
Blerta Ejupi, e diplomuar në Fakultetin e Artit dhe Dizajnit në “Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik”

Blerta Ejupi, e diplomuar në Fakultetin e Artit dhe Dizajnit në “Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik” dhe gjithashtu vitin e kaluar akademik e përzgjedhur si studentja më e mirë në fakultetin e saj, për Portalb.mk tha se nuk preferon të përdorë chatbot-e si Chat GPT në punimet e saja për shkak se nuk e sheh si të arsyeshme dhe joorigjinale.

“Chat GPT u lansua kur isha në vitin e katërt të studimeve edhe për atë arsye ndoshta nuk e kam përdorur, por edhe shkaku se nuk e shoh të arsyeshme që një student t’i bëjë punimet në bazë të diçkaje që nuk është origjinale edhe më e kënaqur jam kur e bëj një punim me aftësitë e mia se sa të dorëzoj diçka që nuk është mendimi im apo puna ime”, tha Ejupi.

Ajo gjithashtu shtoi se përdorimi i tepërt i chatbot-eve si Chat GPT nuk duhet lejuar në universitete.

“Gjithmonë kam pas mendim negativ për përdorimin e Chat GPT-së, sidomos përdorimin e tepërt edhe për atë arsye mendoj qe nuk është mirë të lejohet përdorimi në universitete sepse mendoj që limiton aftësitë dhe kreativitetin e studentëve. Duke e shikuar Chat GPT-në si një mënyrë më të lehtë mundet të gjithë të fillojnë ta keqpërdorin edhe ashtu nuk besoj qe do kishte ndonjë vlerë as mësimi as edhe punimet, sidomos punimet seminarike qe dikush ndoshta as edhe një fjalë nuk lodhet të të shkruajë”, tha Ejupi.

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në lidhje me atë se a ekzistojnë rregullativa ligjore për lejimin e përdorimit të inteligjencës artificiale në arsim tha  se aktualisht nuk ka mirëpo në qoftë se konstatohet keqpërdorim i tyre atëherë mund të krijohen, por në rast të tillë publiku do të jetë i informuar në kohë .

“Aktualisht nuk ka ndonjë zgjidhje ligjore që mund të kufizojë aplikimin e mjeteve të inteligjencës artificiale, duke marrë parasysh se këto mjete janë relativisht të reja, gjegjësisht kanë filluar të përdoren një periudhë të shkurtët kohore dhe konsiderohen si jashtëzakonisht të dobishme dhe përdoren në të gjithë botën. Mirëpo, kjo nuk do të thotë  se nuk do të krijohet rregullativa ligjore në të ardhmen, nëse konstatohet përdorim i shpeshtë i papërshtatshëm përmes një konsultimi më të gjerë dhe publiku do të informohet në kohë për këtë”, thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Rikujtojmë se, kushtet dhe lejet për përdorimin e Chat GPT në procesin e lartë arsimor të Maqedonisë së Veriut, universitetet ende nuk i kanë definuar. Disa universitete e kanë ndaluar krejtësisht si masë kundër plagjiaturës ndërsa disa të tjerë e lejojnë përdorimin e tij. Profesorët me të cilët bisedoi Portalb.mk, vlerësojnë se chatbot-et dhe aplikacionet e ngjashme duhet lejuar të përdoren gjatë përgatitjes akademike të studentëve si dhe stafit universitar me qëllim që të mos krijohen keqkuptime se këto aplikacione janë manipuluese dhe të dëmshme.