Një zjarr shpërtheu në Likovë, afër ka pyll me pisha

Një zjarr ka shpërthyer sonte në rajonin e Likovës në linjën nga fshatrat Sllupçan – Vaksincë në drejtim të Allashevcës, transmeton 360 Gradë.

Sipas informacioneve të Qendrës së Menaxhimit me Kriza (QMK), zjarri ka marrë flakë pasditen e sotme.

“Vija e zjarrit është më e gjatë se 300 metra. Aty pranë është një pyll me pisha. Po bëhen përpjekje që ajo të mos përhapet në atë drejtim. Ajo djeg bar dhe shkurre”, thanë nga QMK.

Ekipet e zjarrfikësve në vend sot kanë luftuar edhe një zjarr të madh në Bogdanci. Zjarri ka rënë dje, ndërsa sot pasdite është shuar dhe ekipet janë tërhequr nga vendi. Përveç këtyre, gjatë ditës QKM regjistroi edhe 10 zjarre të tjera të hapura në shtet.