Çmimet e ushqimeve nuk po i ulin fitimet e industrisë ushqimore (Infografik)

Në supermarkete kaçkavalli holandez është më i lirë se ai vendas, njësoj si edhe birra e importuar që është më e lirë se birra maqedonase. Qytetarët që blejnë ushqime çdo ditë pyesin veten se si është e mundur kjo, ndërkohë që kjo gjendje absurde vazhdon edhe pasi qeveria vendosi një “çmim të garantuar” për disa produkte ushqimore deri në fund të vitit 2023. Të dhënat e analizuara nga Meta.mk tregojnë se në nëntë muajt e parë të vitit shumica e kompanive ushqimore në vend kanë punuar me fitime të rritura ose mbi zero pozitive, njofton Portalb.

Në tetor të vitit 2023 shkalla e inflacionit po shënon një tendencë të rënies, edhe pse shpenzimet për jetesë janë më të larta për 3,5 përqind krahasuar me ato në muajin tetor të vitit 2022. Çmimet me pakicë në këtë muaj kanë shënuar një rritje prej 3,4 përqind krahasuar me vitin e kaluar. Edhe pse inflacioni po bie, çmimet e produkteve ushqimore në Maqedoni vazhdojnë të rriten. Ushqimet dhe pijet joalkoolike u rritën për 1 përqind në tetor të vitit 2023 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Vitin e kaluar ushqimi në vend u bë dukshëm më i shtrenjtë në krahasim me vitin 2021.

Por si janë me fitimet financiare kompanitë maqedonase nga sektori ushqimor? Meta.mk bëri analizën e pasqyrave financiare të pareviduara të të ardhurave të të gjitha shoqërive aksionare ushqimore që gjenden në Bursën e Maqedonisë dhe që deri më tani i kanë publikuar pasqyrat e të ardhurave për nëntë muajt e parë të vitit 2023. Disa nga pasqyrat financiare janë të konsoliduara, ndërsa disa nga kompanitë deri më tani kanë publikuar vetëm të pakonsoliduara.

Nga gjithsej 17 kompani ushqimore maqedonase që janë të listuara në bursë dhe i kanë publikuar pasqyrat e tyre financiare në nëntë muajt e parë të vitit 2023 vetëm tri kompani kanë punuar me humbje. Pjesa më e madhe e kompanive, gjithsej nëntë, këtë vit kanë pasur rritje të fitimeve nga aktivitetet e deritanishme, ndërsa pesë kompani nga janari deri në shtator të vitit 2023 kanë realizuar fitim, por më të ulët në krahasim me vitin 2022.

Meta.mk i mori të dhënat nga SEI NET – sistemi elektronik informativ për shoqëritë aksionare të listuara në Bursën e Maqedonisë. Veraria Tikvesh, Makpromet, KB Pellagonija, Pekabesko, Pelisterka, Vitaminka, Zhito Luks,  Birraria Prilep dhe Orangeri Hamzalli janë kompanitë që kanë realizuar fitime më të mëdha në nëntë muajt e parë të vitit.

Pastaj, kantina Popova Kulla, Fruktall Mak, Strumiçko Pole, Thertorja me frigorifer Strumicë, Grozd dhe Fabrika Evropa kanë pasur rezultat pozitiv financiar nga puna e tyre, por fitimi ka qenë më i vogël në krahasim me periudhën janar-shtator të vitit 2022. Sivjet me humbje kanë punuar  vetëm Zhito Pollog nga Tetova, Fabrika e vajit Kristal 1923 dhe Zhito Karaorman nga Kërçova. Për fat të keq tregtarët komercialë nuk janë të listuar në Bursën e Maqedonisë dhe nuk janë të obliguar t’i publikojnë rezultatet financiare të punës së tyre pas çdo tremujori. Gjendja është e njëjtë edhe për kompanitë e distribuimit.

Javën e kaluar Portalb.mk publikoi një analizë të çmimit të ushqimeve në tregun botëror kundrejt atij maqedonas. Organizata Botërore e Ushqimit FAO njoftoi se në tetor të vitit 2023 ka pasur një rënie të ndjeshme të çmimeve të produkteve të qumështit dhe vajit bimor për më shumë se 20 përqind krahasuar me tetorin e vitit 2022. Kjo ulje e çmimeve për produktet ushqimore bazë është 10,8 përqind, për mishin 3,4 përqind, ndërsa sheqeri ishte më i lirë për 2,2 përqind.

Për dallim nga kjo në Maqedoni në tetor të vitit 2023 indeksi i çmimeve ka rënë për 27,9 përqind për vajrat dhe yndyrnat, ndërsa qumështi, djathi dhe vezët janë liruar për 5,4 përqind në krahasim me muajin tetor të vitit 2022. Drithërat dhe buka janë liruar për 1,4 përqind. Në tetor të vitit 2023 çmimet e mishit janë rritur për 4,9 përqind, ndërsa ato të sheqerit, reçelit dhe mjaltit për 7,1 përqind.

Kjo praktikisht do të thotë se edhe përkundër rënies së çmimeve të ushqimeve në nivel ndërkombëtar, në vendin tonë produktet ushqimore janë ose më të shtrenjta ose kanë çmime që bien më ngadalë se sa trendi botëror.

Odat ekonomike që përfaqësojnë interesat e industrisë ushqimore reaguan negativisht ndaj vendosjes së masës “çmim i garantuar” nga qeveria e Maqedonisë.

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për uljen e çmimit të produkteve ushqimore bazë dhe vlerëson se është shumë i dëmshëm për kompanitë, duke shtuar se vihet në pikëpyetje ekonomia e tregut të lirë.

“Me uljen e çmimeve të këtyre produkteve rrezikohet cilësia e produkteve, kështu që prodhuesit vendor do të duhet të punojnë me humbje”, njoftuan nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore kah mesi i muajit tetor të këtij viti nga.

Kush fiton dhe kush humb nga çmimet e produkteve ushqimore është një temë që i shqetëson qytetarët vazhdimisht këtyre muajve të fundit. Për këtë shkak, Qeveria vendosi që deri më 31 dhjetor të vitit 2023, të vlejë ulja prej10 përqind e çmimeve krahasuar me ato që janë aplikuar në 1 gushtit të vitit 2023 në shitjet me pakicë për disa nga produktet ushqimore më të rëndësishme, por edhe për pijet joalkoolike.