Një javë mundësi për prindërit në Maqedoninë e Veriut që të aplikojnë për mbështetje financiare nëse marrin nën 50 mijë denarë

Prindërit që i kanë fëmijët në shkollën fillore dhe të mesme dhe kanë të ardhura nën 50 mijë denarë, do të mund të aplikojnë deri më 12 shkurt për të marrë mbështetje financiare për çdo nxënës, transmeton Portalb.mk.

“Ftohen të gjithë nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të cilët i plotësojnë kushtet dhe nuk kanë aplikuar në thirrjen e publikuar në dhjetor të vitit 2023 të aplikojnë në thirrjen publike për mbështetje financiare për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme”, njoftoi Ministria për Arsim dhe Shkencë.

Nxënësit duhet të jenë shtetas të RMV-së, të jenë të rregullt në shkollë dhe familjet e tyre të mos marrin më shumë se 50 mijë denarë.

“Kandidatët duhet të aplikojnë në shkollën ku nxënësi është i regjistruar”, njoftoi Ministria.

Ndryshe, familjet që kanë nxënës në shkolla fillore dhe të mesme prej muajit dhjetor kanë mundësi të marrin mbështetje financiare 20 euro për filloristët dhe 30 euro për gjimnazistët. Këto familje nuk duhet të kenë të ardhura të përgjithshme prej neto-pagave mbi  50.000 denarë.

Mënyra e paraqitjes është përshkruar në thirrjen e publikuar nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), e cila ka siguruar dhe është përgjigjur për pyetjet më shpesh të parashtruara për këtë masë.