Nga e-shërbimet te sportelet: Bilanci i digjitalizimit në RMV për vitin 2025

Digjitalizimi i shërbimeve publike në Maqedoninë e Veriut prej vitesh prezantohet si zgjidhje për efikasitet, transparencë dhe lehtësim të jetës së qytetarëve. Megjithatë, realiteti i vitit të kaluar dëshmon se mes premtimeve institucionale dhe përvojës së përditshme në sportelet e administratës vazhdon të ekzistojë një hendek i madh. Edhe pse u shënuan hapa përpara në kuadër ligjor, strategji dhe nisma digjitale, zbatimi praktik çaloi, shpesh i ngadalshëm dhe larg pritshmërive. Portalb.mk sjell momentet kryesore nga fusha e digjitalizimit në RMV gjatë vitit 2025.

Shërbime elektronike apo pritje në sportele

Autoritetet prej vitesh premtojnë digjitalizimin e shërbimeve dhe institucioneve, por realiteti në ndërtesat e institucioneve publike shpesh flet ndryshe, pavarësisht se gjatë vitit të kaluar pati progres, disa institucione filluanofrojnë shërbime të reja digjitale, ende mbetet shumë punë për tu bërë, pasi shpesh e-shërbimet përfunduan në sportele.

Në disa raste, si te Drejtoria e Librave Amë, pavarësisht milionave të shpenzuara për digjitalizim, një numër i madh qytetarësh vazhduan të marrin certifikata lindjeje të lëshuara duke përdorur daktilograf.

Gjatë vitit pati nisma të ndryshme të digjitalizimit në fusha të ndryshme si kultura, gjyqësori, policia, shëndetësia gjyqësori dhe të tjera. Vazhdoi edhe shfrytëzimi në masë të madhe i shërbimeve digjitale për kryerjen e pagesave.

Ndryshime ligjore dhe strategji të reja

Parlamenti në qershor miratoi katër ligje për transformimin digjital nga Agjenda e reformave. U votuan Ligji për Komunikimet Elektronike, Ligji për Sigurinë e Rrjetit dhe Sistemeve të Informacionit, Ligji për Ndryshimet në Ligjin për Dokumentet Elektronike, Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet Konfidenciale, dhe Ligji për Materialin Arkivor dhe Aktivitetin Arkivor.

Me miratimin e këtyre ligjeve, në përputhje me Instrumentin e Reformës dhe Rritjes së Ballkanit Perëndimor, RMV-ja fitoi qasje në më shumë se 19 milionë euro.

Hap i rëndësishëm në këtë drejtim ishte miratimi i Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2025-2028, e cila për synim ka mbrojtjen e infrastrukturës digjitale dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt, pasi vitet e fundit vendi u bë cak i sulmeve të ndryshme kibernetike.

Në tetor u prezantua edhe Strategjia e re Kombëtare për Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit – “SMART/MK 2030” për zhvillimin digjital.

Raporte alarmante

Raporti më i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut theksoi se vendi ka bërë përparime të moderuara në fushën e digjitalizimit, por mbetet mesatarisht i përgatitur për t’u përafruar me standardet e Bashkimit Evropian. Brukseli kërkoi që në vitin e ardhshëm të intensifikohen përpjekjet për zbatimin e reformave digjitale, përmirësimin e kuadrit ligjor dhe forcimin e sigurisë kibernetike.

Banka Botërore alarmoi se kompanive në Ballkanin Perëndimor, edhe në RMV u nevojitet digjitalizim. Këtë e vërtetoi edhe Enti Shtetëror i Statistikave i cili raportoi se gjatë vitit 2025 vetëm 16.4 përqind e subjekteve afariste që kanë mbi dhjetë të punësuar kanë kryer e-shitje, pra kanë pranuar porosi përmes rrjeteve sociale.

Digjitalizim, shërbime elektrike,
Digjitalizim, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Digjitalizimi përballë IA-së

Derisa vendi ende nuk ka bërë përparimin dhe reformat e kërkuara në fushën e digjitalizimit, zhvillimi inteligjencës artificiale po ecë me hapa të shpejtë dhe RMV-ja edhe në këtë fushë po stagnon, pavarësisht përpjekjeve.

Enti Shtetëror i Revizionit (EShR) ka konstatuar se Maqedonia nuk ka një strategji, kornizë ligjore ose infrastrukturë të përshtatshme për zbatimin e inteligjencës artificiale (IA) në sektorin publik, pavarësisht faktit se në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2023 përmes Fondit të Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik (FIZhT) u bashkëfinancuan 48 projekte me vlerë 6,11 milionë euro. Asnjë nga këto projekte nuk ka gjetur zbatim në institucione.

Megjithatë, në këtë drejtim pati edhe lëvizje pozitive. Në vend u prezantua projekti “Vezilka”,Qendra Kombëtare për Inteligjencë Artificiale në vlerë prej 6 milionë euro me mbështetje nga BE-ja dhe që synon tansformimin e IA-në disa fusha.

Shoqëria civile përballë digjitalizimit

Shoqëria civile edhe vitin e kaluar u angazhua në fushën e transformimit digjital, ndër të cilat Fondacioni Metamorfozis vijoi të jetë avokues aktiv i ndryshimeve dhe reformave në këtë fushë. Me mbajtjen e edicionit të 21 të Konferencës Ndërkombëtare e-Society.mk, në temën “Integriteti në Thelb të Transformimit Digjital” këtë vit u nxor në pah se si përparimi i shpejtë teknologjik po i riformëson qëndrueshmërinë demokratike, të drejtat e njeriut dhe besimin shoqëror në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur.

Premtime për të ardhmen

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski premtoi se Maqedonia e Veriut deri në vitin 2030-2025 do të jetë plotësisht e digjitalizuar. Por kjo mbetet të shihet se si do të realizohet në praktikë.

Ndër premtimet tjera që Andonovski ka bërë për vitin 2026 është regjistrimi digjital i popullsisë dhe digjitalizimi i letërnjoftimeve dhe patentave të shoferëve.

Çfarë në 2026?

Viti 2026 pritet të jetë një vit vendimtar për ambiciet digjitale të Maqedonisë së Veriut. Dhe inteligjencën artificiale. Premtimet e institucioneve do të duhet të dalin nga kornizat strategjike dhe të shndërrohen në zgjidhje funksionale për qytetarët dhe bizneset. Sfida kryesore mbetet zbatimi në praktikë i strategjive dhe ligjeve.

LEXO: Digjitalizimi në RMV gjatë 2024: Përparim i kufizuar me shumë mangësi