Në tetor do të promovohet aplikacioni me të cilin, letërnjoftimi dhe patentë shoferi në RMV do të jenë në formë digjitale
Në tetor do të promovohet aplikacioni mobil “M.Uslugi”, në të cilin do të jenë të disponueshme versionet elektronike të letërnjoftimit dhe patentë shoferit, si dhe dy shërbime elektronike për qytetarët, njoftoi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, transmeton Portalb.mk.
Sipas tij, përmes “M.Uslugi”, qytetarët do të mund të kenë në një vend qasje në dokumentet personale në formë digjitale, si dhe në shërbimet elektronike të administratës.
Qëllimi, siç thotë ai, është që shërbimet shtetërore të bëhen më të qasshme dhe më të thjeshta për t’u përdorur, drejtpërdrejt përmes telefonit celular.
Andonovski shton se gjatë periudhës së kaluar është punuar intensivisht në çështjet që lidhen me sigurinë kibernetike, mbrojtjen dhe mënyrën e ruajtjes së të dhënave personale, si dhe shkëmbimin e tyre me Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila është pronare e të dhënave.
“Jemi në fazën përfundimtare të harmonizimit dhe nënshkrimit të protokollit për shkëmbimin e të dhënave, si dhe të testimit të aplikacionit. Dëshirojmë që para se të jetë i qasshëm për të gjithë, të jemi të sigurt se sistemi është stabil, i sigurt dhe i thjeshtë për t’u përdorur. Aplikacioni do të jetë i disponueshëm në App Store dhe Google Play, ndërsa versionin testues deri më tani e kanë shkarkuar pothuajse 6.000 qytetarë”, tha Andonovski në emisionin “Vesti plus” në televizionin Kanal 5.
Sipas Andovskit, ajo që po punohet në kuadër të transformimit digjital është që telefoni celular gradualisht të shndërrohet në një portofol digjital, përmes të cilit qytetarët do të kenë qasje të sigurt dhe të thjeshtë në dokumentet e tyre dhe në shërbimet e shtetit.