A është vënë në pikëpyetje turneu rajonal i shefes së KE-së për shkak të Serbisë?

Kjo është një pyetje për të cilën ende nuk ka përgjigje, por kjo mundësi nuk përjashtohet, raporton Radio Evropa e Lirë.

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, pritet që në tetor të nisë turneun e rregullt vjetor në Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit tradicionalisht viziton të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Serbinë.

Por këtë herë, pikërisht Serbia mund të paraqesë problem.

Në vend aktualisht mbizotërojnë tensione gjithnjë e më të theksuara politike dhe shoqërore. Pas vdekjes së Ratko Mlladiqit, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Srebrenicë, është intensifikuar madhërimi i figurës së tij, ndërsa me mbështetje logjistike shtetërore është bërë kthimi i trupit të pajetë dhe është paralajmëruar një ceremoni e madhe mortore, duke shkaktuar reagime të ashpra nga Bashkimi Evropian. Ka tregues se Brukseli u ka bërë drejtpërdrejt presion autoriteteve në Beograd që të mos lejojnë mbajtjen e një varrimi shtetëror.

Në të njëjtën kohë, këtë javë u konfirmua se aktivistë dhe politikanë opozitarë kanë qenë objektiv i softuerëve spiunues, në prag të cikleve të mundshme kyç zgjedhore në Serbi.

Edhe pse zgjedhjet ende nuk janë shpallur, atmosfera politike në Serbi gjithnjë e më shumë i ngjan një fushate të pashpallur parazgjedhore.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, javët e fundit po viziton në mënyrë intensiv qytete dhe fshatra në mbarë Serbinë, ku po takohet me qytetarë, po viziton projekte infrastrukturore dhe po premton zgjidhjen e problemeve lokale – nga rrugët dhe ujësjellësit deri te rritja e të ardhurave.

Shpeshtësia e këtyre aktiviteteve dhe mënyra se si paraqiten në publik kanë karakterin e një fushate joformale parazgjedhore, veçanërisht për shkak se qytetarëve u përcillet mesazhi se përmirësimet konkrete janë rezultat i politikave të Vuçiqit dhe SNS-së.

Sipas disa të dhënave jozyrtare, zgjedhjet mund të mbahen në fund të tetorit.

Nëse kjo ndodh, vizita e mundshme e presidentes së Komisionit Evropian në Serbi do të përkonte me një fushatë të plotë parazgjedhore.

Serbia si problem për turneun rajonal

E gjithë kjo e bën veçanërisht problematike një vizitë të mundshme në Beograd. Porm ekziston edhe një paradoks tjetër.

Sipas burimeve jozyrtare në Bruksel, nëse von der Leyen, për shkak të situatës politike, vendos ta anashkalojë Serbinë, ekziston mundësia që të mos ketë fare turneun e saj tradicional në Ballkanin Perëndimor.

Me fjalë të tjera, vendimi për të mos e vizituar Serbinë mund të vërë në pikëpyetje të gjithë turneun rajonal.

Toby Vogel nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit (DPC) konsideron se anulimi i turneut në Ballkan do të dërgonte një sinjal të gabuar.

“Kjo do të dërgonte sinjalin se Serbia është më e rëndësishme se vendet e tjera”, tha Vogel për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Megjithatë, ai vlerëson se shefja e KE-së, pikërisht për shkak të momentit politik, nuk duhet ta vizitojë Serbinë.

“Një vizitë e mundshme e presidentes së Komisionit Evropian në Serbi në prag të zgjedhjeve të parakohshme, të cilat me gjasë përbëjnë sfidën më të madhe për pushtetin e presidentit Vuçiq në 15 vjetët e fundit, dërgon pikërisht sinjalin e gabuar. Ajo përcjell mesazhin se Komisioni Evropian dhe, rrjedhimisht, Bashkimi Evropian, e mbështet Vuçiqin në këtë garë zgjedhore. Me këtë, sërish u kthehet shpina studentëve që protestojnë dhe të tjerëve që marrin pjesë në protestat e udhëhequra nga studentët“, theksoi Vogel.

REL-i iu drejtua kabinetit të von der Leyen me pyetjen nëse presidentja e Komisionit Evropian planifikon ta vizitojë së shpejti Serbinë. Deri në publikimin e këtij teksti, nga zyra e shefes së KE-së nuk kanë kthyer përgjigje.

Turneu në Ballkan ende në pikëpyetje

Sipas informacioneve që REL ka marrë nga burime brenda Komisionit Evropian, mundësia e vizitës në Serbi ende mbetet në tryezë, ashtu si edhe planet për vizitat në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Turneu ende nuk është paralajmëruar zyrtarisht, por kjo nuk është e pazakontë. Agjenda e presidentes së Komisionit Evropian shpesh publikohet vetëm një javë përpara.

Vizitën e planifikuar në Beograd e paralajmëroi i pari publikisht deputeti i Parlamentit Evropian Vlladimir Prebilliq, i cili e publikoi informacionin në rrjetet sociale.

“Nuk ka asnjë justifikim që presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ta vizitojë Beogradin muajin e ardhshëm dhe të krijojë përshtypjen e rreme të normalitetit në marrëdhëniet me autoritetet serbe. Mundësimi i një fotografie të Vuçiqit me zyrtarë të lartë evropianë, në kulmin e këtyre zbulimeve, përbën një lloj ‘pastrimi’ të represionit shtetëror dhe dëmton seriozisht kredibilitetin e BE-së në Serbi dhe në rajonin më të gjerë“, tha Prebilliq për Shërbimin e Ballkanit të REL-it.

Anulimi i vizitës së Kos e ndërlikon më shumë vizitën e planifikuar të von der Leyen në Serbi

Situatën e ndërlikon më tej vendimi i komisioneras evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, për ta anuluar vizitën në Beograd.

Kos të premten, më 4 shtator, deklaroi se madhërimi i Ratko Mlladiqit, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë, pas vdekjes së tij, nuk është “në përputhje me vlerat mbi të cilat bazohet rruga drejt Bashkimit Evropian”.

Megjithatë, edhe ky vendim nuk kaloi pa pyetje lidhur me kohën dhe lidhur me parimin e këtij vendimi.

Vizita u anulua tetë ditë pas vdekjes së Mlladiqit, në kulmin e intensifikimit të madhërimit të figurës dhe veprës së tij dhe pas disa ditësh paralajmërimesh se mund të organizohej një varrim shtetëror.

Komisionarja Kos nuk reagoi menjëherë pas vdekjes së Mlladiqit më 27 gusht. Për Mlladiqin dhe varrimin e tij ajo foli vetëm më 4 shtator, disa orë para se të njoftonte se po e anulonte vizitën.

Disa burime të REL-it në Bruksel konfirmuan se ndaj Kos është ushtruar presion i madh, ndër të tjera edhe nga radhët e Parlamentit Evropian, që të mos udhëtonte në Beograd.

Vogel konsideron se një vizitë e mundshme e von der Leyen në Serbi do të përbënte një goditje shtesë për viktimat e luftës në Bosnjë e Hercegovinë.

“Pas varrimit të një krimineli të dënuar, ku me gjasë do të marrin pjesë shumë anëtarë të Qeverisë – të një njeriu të dënuar për gjenocid, krimin më të rëndë nga të gjitha – kjo vizitë, sinqerisht, do të ishte gjithashtu një shuplakë për të mbijetuarit. Disa javë pas varrimit shtetëror të Ratko Mlladiqit, asnjë zyrtar evropian nuk duhet të shkojë në Serbi dhe të fotografohet me Aleksandar Vuçiqin, duke i shtrënguar dorën dhe duke buzëqeshur“, tha Vogel.