Edhe pse portali kombëtar i shërbimeve elektronike ofron mbi 300 shërbime digjitale, përvojat e qytetarëve edhe më tej tregojnë se për të marrë ndonjë dokumente shpesh u duhet të presin gjatë, të bëjnë procedura të dyfishta dhe të presin radhë para sporteleve. Mungesa e njohurive digjitale tek administrata, por edhe tek popullata gjithashtu paraqet problem, tregojnë hulumtimet e sektorit joqeveritar, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
“Është mirë që në portalin kombëtar uslugi.gov.mk ka opsion për të nxjerrë shumë dokumente në mënyrë elektronike, por ende nuk është e thjeshtë që këtë të mund ta bëjë çdo qytetar. Ekziston një udhëzues për atë se si të realizohen shërbimet, por është i shkruar në mënyrë të paqartë dhe në qindra faqe”, thotë Vesna A. nga Shkupi.
“Halli” i saj e pasqyron përvojën e shumë qytetarëve në portalin që pritet ta zvogëlojë burokracinë dhe ta zëvendësojë pritjen para sporteleve, sepse për procedurat, edhe pse janë online, nevojitet shumë durim dhe përgatitje më e lartë teknike.
Për vite me radhë autoritetet po premtojnë se shërbimet digjitale do të jenë lehtësisht të qasshme për të gjithë, por shifrat dhe përvojat tregojnë se Maqedonia e Veriut është larg standardeve evropiane për e-administratë.
Për momentin portali kombëtar i shërbimeve elektronike “www.uslugi.gov.mk” ofron mbi 300 shërbime elektronike, nga të cilat mbi 200 janë digjitalizuar plotësisht pa pasur nevojë për prani fizike, thanë nga Ministria e Transformimit Digjital për Radion Evropa e Lirë.
Sipas këtij institucioni portali ka mbi 176.000 përdorues të regjistruar, me një rritje prej 50 përqind çdo muaj.
“Më së shumti përdoret për nxjerrjen e vërtetimeve për mosndjekje penale, për vërtetime për shtetësinë dhe banimin”, thuhet në përgjigje.
Por, përvojat e qytetarëve janë të ndryshme. Ilija B. nga Shkupi për REL tha se ai dhe bashkëshortja e tij kohët e fundit kanë dorëzuar dy kërkesa për certifikatë nga libri amzë i të lindurve dhe libri amzë i kurorëzimeve në mënyrë elektronike përmes portalit të e-shërbimeve.
Kanë paguar me kartelë, ndërsa në kohën e aplikimit si metodë të vetme të dërgimit platforma ka ofruar dërgimin e dokumenteve me postë.
Digjitale, por me zakone sporteliste
Edhe pas një muaji ata ende nuk i kanë marrë certifikatat, prandaj aplikuan përsëri nëpërmjet të njëjtës platformë për dy certifikata të reja, të cilat i paguan sërish, por me mundësinë e tërheqjes së tyre në institucionin adekuat.
“Të njëjtat u lëshuan brenda një afati prej 7 ditësh. Gjatë tërheqjes së tyre u konstatuan gabime në të dhëna dhe për këtë shkak u përgatitën certifikata të reja. Në portal figuron se janë dorëzuar dy kërkesa për këto dokumente. Për të njëjtat dokumente për bashkëshorten nuk ka qasje në aplikacion. Në tentativat e shumta për t’i kontaktuar në numrin e telefonit të shënuar në portal nuk përgjigjet askush”, thotë Ilija.
Nga Ministria e Transformimit Digjital konfirmojnë se kanë probleme me dorëzimin e dokumenteve përmes Postës së Maqedonisë.
“Ka vonesa dhe raste të dërgesave të padërguara për shkak të mungesës së punonjësve. Si alternativë qytetarët mund ta zgjedhin tërheqjen personale ose dorëzimin me e-mail”, thonë nga Ministria.
Nga ky institucion shtojnë se pavarësisht detyrimeve ligjore, disa institucione, e sidomos sektori privat, ende nuk i pranojnë dokumentet elektronike si plotësisht të vlefshme dhe kërkojnë një kopje në letër “për çdo rast”.
Ministria njofton mbikëqyrje inspektuese dhe edukim të institucioneve për zbatimin e plotë të ligjit.
Larg nga marrja e dokumenteve me “një klikim”
Megjithatë, për nevojën për përmirësimin e shërbimeve digjitale flet qartë edhe situata në të cilën u gjetën iniciativat qytetare, të cilat fituan vende në këshillat komunale të Shkupit në zgjedhjet e mëparshme, ndërsa tani po përballen me paqartësi ligjore që i detyrojnë të formojnë parti politike për të marrë përsëri pjesë në zgjedhje.
Për këtë atyre u nevojiten 1.000 nënshkrime nga qytetarët, ndërsa secili nënshkrues duhet të dorëzojë një deklaratë të noterizuar dhe vërtetim për shtetësi të lëshuar në formë elektronike. Nga përvoja del se është pikërisht ajo pjesa digjitale e procedurës që në të shumtën e rasteve është pengesë.
Gorjan Jovanovski nga iniciativa qytetare Qyteti i Gjelbër Human, e cila mbledh nënshkrime për të krijuar një parti, na tha se njerëzit që duan t’u japin nënshkrim, por që deri më tani nuk kanë përdorur shërbime elektronike duhet të shkojnë personalisht në DAP për ta aktivizuar llogarinë e tyre, edhe pse siç thotë ai, në shumë shërbime kjo tani mund të bëhet online me letërnjoftim dhe foto.
“Sot, shumë shërbime (madje edhe ProCredit Bank) e bëjnë këtë në mënyrë digjitale me letërnjoftim dhe foto dhe e njëjta teknologji duhet të aplikohet menjëherë online”, thotë Jovanovski.
Pastaj, shton ai, problem është se përzihen llogaritë e përdoruesve të DAP-it dhe e-uslugi, gjë që shkakton konfuzion tek njerëzit dhe, sipas tij, ato duhet të unifikohen nën një llogari të vetme.
Gjendja e e-uslugi ende është e ndërlikuar, ndërsa duhet të jetë e lehtë dhe e thjeshtë, shton Jovanovski.
Një portal mund të aktivizohet llogari që qytetarët të marrin dokumente personale, por për këtë ka një nivel bazë dhe të ulët të sigurisë.
Bazik do të thotë që qytetarët mund të regjistrohen me një emër përdoruesi dhe fjalëkalim, por në këtë mënyrë sistemi nuk mund ta verifikojë se vërtetë është regjistruar ai përdorues dhe kështu nga përdoruesi kërkohet që të drejtohet në ndonjë sportel në DAP për ta konfirmuar identitetin e tij me letërnjoftim. Kjo e rrit nivelin e sigurisë të llogarisë së tij dhe pastaj ai mund të nxjerrë edhe dokumente më sensitive. Por në vend që të shkohet në një sportel, ka mënyra për verifikim digjital online, thotë Jovanovski.
Tjetra është se nëse dikush tashmë ka një llogari në DAP, gjë që shumë qytetarë e kanë për shkak të skanimit të llogarive fiskale, atëherë ka mundësi që përdoruesi të hyjë në portal me atë llogari dhe të shkarkojë dokumente. Por edhe kjo shkakton konfuzion, sepse gjatë regjistrimit përdoruesi duhet të zgjedhë opsionin që tashmë ka një llogari në DAP, ndërsa shumë njerëz nuk e dinë se çfarë do të thotë ky opsion dhe nuk e zgjedhin atë, thekson Jovanovski.
“Dhe në fund kur përdoruesi duhet të paguajë për një shërbim në www.uslugi.gov.mk, ai përballet me zgjedhjen e një banke – zgjedhja është Uni Bank dhe Banka Komerciale. Këtu shumë njerëz ngatërrohen, sepse banka e tyre nuk është e disponueshme si opsion dhe për këtë arsye ata heqin dorë nga shkarkimi i dokumenteve, ndërsa në fakt zgjedhja midis këtyre dy bankave është se cila ta përpunojë pagesën, gjë që është bërë pa nevojë”, thotë Jovanovski.
Vite të gjata plot premtime, progres minimal
Të gjitha këto shembuj dhe përvoja tregojnë se Maqedonia e Veriut ende mbetet prapa në digjitalizimin e shërbimeve publike.
Vendi ishte në vendin e parafundit në Evropë – para Shqipërisë dhe në fund të indekseve të e-Qeverisë të Komisionit Evropian për vitin 2021 dhe vitin 2022.
Kjo sepse praktika tregon se në praktikë qytetarët shumë nga dokumentet e tyre ende i marrin me prani fizike, në letër dhe duke pritur para sporteleve.
Sipas një hulumtimi nga sektori joqeveritar probleme të tjera në të cilat duhet investuar janë edukimi i ulët digjital në administratë, por edhe tek popullata.
Sipas Fondacionit “Metamorfozis”, teknologjitë digjitale mund ta zvogëlojnë ndjeshëm burokracinë, por edhe ta rrisin transparencën dhe të kontribuojnë në luftën kundër korrupsionit nëse përdoren në mënyrë të drejtë dhe të vazhdueshme.
Ndërsa premtimet për një transformim të plotë digjital datojnë që nga fillimi i viteve 2000, përmes qeverive dhe ministrave të shumtë.
Inspektorë do ta mbikëqyrin digjitalizimin
Idetë për identitetin elektronik, dorëzimin dhe gjurmimin online të kërkesave, madje edhe përdorimin e tokenëve dhe fjalëkalime për nënshkrime elektronike, kanë mbetur kryesisht në letër.
Tani Qeveria e re dhe Ministria e Transformimit Digjital kanë njoftuar se do të ndërtojnë një “Maqedoni Smart”, domethënë një infrastrukturë që do të mundësojë që shërbimet publike të merren me një klikim me përdorimin e inteligjencës artificiale në më shumë sektorë.
Nga Ministria e Transformimit Digjital për Radion Evropa e Lirë thanë se janë në fazat e fundit të krijimit të një departamenti të mbikëqyrjes inspektuese brenda institucionit, i cili duhet të kryejë mbikëqyrje sistematike mbi zbatimin e ligjeve për dokumentet elektronike dhe transformimin digjital.
Ekipi fillestar do të përbëhet nga gjashtë inspektorë të licencuar që do të fillojnë punën pasi të kenë kryer trajnimin në bashkëpunim me Këshillin e Inspektimit.