LSDM publikoi një tjetër “bombë”: Transformim i tenderëve me vlerë 1.5 milionë euro në ministrinë e Andonovskit

Ekipi Antikorrupsion i LSDM-së (EAK) ka publikuar akuza të reja për tenderët në Ministrinë për Transformim Digjital, duke pretenduar se tri kontrata me vlerë totale prej 1.5 milionë eurosh janë lidhur me një kompani të lidhur me persona që kanë pasur marrëdhënie biznesi me bashkëshortin e sekretares shtetërore në ministri, transmeton Portalb.mk

Sipas tyre, bëhet fjalë për një vazhdim të rastit të mëparshëm që lidhej me tenderët e kompanisë “Mateo Dizajn”, në pronësi të Martin Klinçarovit, bashkëshortit të sekretares shtetërore Klinçarova. Për këtë rast, sipas EAK-së, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit kishte hapur lëndë, por hetimi nuk kishte avancuar më tej.

Në publikimin e ri, EAK pretendon se ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, ka lidhur tri kontrata me vlerë të përgjithshme prej 1.5 milionë eurosh me kompaninë “Noma Sistem Solutions”, degë në Shkup.

Sipas tyre, kontratat kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e Sistemit për Menaxhimin e Dokumenteve, një softuer për regjistrin e pasurive dhe një softuer për provime.

EAK ngre pyetjen se kush qëndron pas kompanisë dhe thekson se si menaxher i saj figuron Vladimir Simovski.

Sipas pretendimeve të EAK-së, Simovski ka qenë më herët partner biznesi dhe bashkëpronar me Martin Klinçarovin në kompaninë “SVAG FUD DOO Shkup”. Po ashtu, EAK pretendon se në strukturën e pronësisë së kësaj kompanie ka edhe “Mateo Dizajn”, kompani në pronësi të Klinçarovit.

Nga EAK-ja vlerësojnë se këto lidhje ngrenë dyshime për vazhdimin e një rrjeti familjar dhe biznesor përmes të cilit, sipas tyre, paratë publike përfundojnë te persona të lidhur.

Për këtë arsye, EAK i ka bërë thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që të zgjerojë hetimin e rastit të mëparshëm dhe të shqyrtojë edhe kontratat e reja.

Ata kërkojnë gjithashtu që të ndiqet rrjedha e parave drejt subjekteve të përfshira dhe kërkojnë përgjegjësi nga ministri Andonovski, përfshirë edhe dorëheqjen.