Andonovski: Maqedonia e Veriut deri në vitin 2035 do të digjitalizohet plotësisht
Po shkojmë drejt një shoqërie digjitale, por nuk duhet të jemi ndjekës të trendeve, por përkundrazi duhet t’i krijojmë ato së bashku me vendet e zhvilluara. Kjo çështje nuk njeh kufij, çdo vend, madje edhe më i vogli, nëse ka potencial të mirë të IT-së midis stafit të tij dhe zakone të mira midis qytetarëve të tij, si dhe nëse ndërton një infrastrukturë digjitale, mund të bëjë hapa të mëdhenj përpara, tha sot ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski para fillimit të konferencës së organizuar nga Bloomberg Adria, transmeton Portalb.mk.
Andonovski e sheh Maqedoninë plotësisht të digjitalizuar në vitet 2030-2035. Kjo, vuri në dukje ai, është strategjia e Qeverisë.
“Strategjia jonë është që gjithçka që është një proces në prapavijë në administratën publike të digjitalizohet në mënyrë që të ofrojë kushte të mira për të bërë biznes, për rritje ekonomike dhe për mirëqenien e qytetarëve”, theksoi Andonovski.
Sipas tij, të dhënat e fundit tregojnë se rritja e industrisë së TIK-ut prej mbi 4.4 përqind është një nga faktorët kryesorë në rritjen e PBB-së.
“Kështu duhet të mendojmë. Ky është potenciali ynë, përparësia jonë krahasuese krahasuar me vendet e tjera. Nuk kemi burime të mëdha minerale, nuk jemi një territor i madh, nuk kemi një popullsi të madhe, por jemi relativisht më mirë në industrinë e IT-së dhe duhet ta shfrytëzojmë sa më shumë”, theksoi ministri.
Fokusi i konferencës janë trendet e konsumatorëve, dhe marrin pjesë përfaqësues nga biznesi, dhomat e tregtisë, institucionet publike, shkenca dhe analistë.
Kujtojmë se muajve të fundit është mundësuar marrja e dokumenteve të rëndësishme online, si certifikatë për mosdënueshmëri nga gjykatat themelore, fletë-pronësia dhe disa dokumente të tjera. Megjithatë Maqedonia e Veriut vazhdoi të përballet me sfidat e digjitalizimit edhe në vitin 2024.
Vlerësimi gjithëpërfshirës i KE-së në raportin e progresit për situatën e digjitalizimit në Maqedoninë e Veriut është se, megjithëse ka pasur disa përparime, përpjekjet për digjitalizim janë ende në faza të hershme dhe kanë shumë mangësi. Shërbimet digjitale janë në zhvillim, por shumë procedura mbeten offline dhe kërkohet përmirësim i portalit elektronik. Vendi duhet të harmonizojë legjislacionin me normat evropiane dhe të rrisë aftësitë digjitale, sidomos për bizneset e vogla dhe zonat rurale. Pavarësisht përparimeve në infrastrukturën e internetit dhe 5G, administrata dhe sektori i sigurisë kibernetike kërkojnë digjitalizim dhe forcim. Sektorët e shëndetësisë dhe energjisë gjithashtu kërkojnë përpjekje për digjitalizim e me këtë edhe transparencë dhe modernizim