RMV me qendër për inteligjencë artificiale, Andonovski: Po bëhemi pjesë aktive e rrjetit evropian të qendrave të IA-së
Ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski prezantoi sot projektin “Vezilka” – Qendra Kombëtare për Inteligjencë Artificiale, të cilin e vlerësoi si një projekt kapital me rëndësi historike për transformimin digjital të vendit, transmeton Portalb.mk.
Projekti, vlera totale e të cilit është rreth gjashtë milionë euro, po zbatohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian, përmes programit Horizon Europe dhe iniciativës EuroHPC, dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Transformimit Digjital dhe FINKI, e cila është udhëheqëse e projektit.
“Ky është një projekt kapital me rëndësi historike dhe kombëtare – një faqe e re në zhvillimin digjital të Maqedonisë. Me ‘Vezilkën’, vendi ynë bëhet pjesë aktive e rrjetit evropian të qendrave për inteligjencë artificiale. Ky është një hap thelbësor për komunitetin tonë shkencor, teknologjik dhe inovativ”, tha Andonovski.
Qendra Vezilka do të funksionojë si degë e fabrikës evropiane IA Pharos, me seli në Greqi, e cila do t’u ofrojë studiuesve, kompanive dhe startup-eve maqedonase qasje në superkompjuterët evropianë dhe hapësirat e të dhënave të përparuara.
Ministri theksoi se projekti ka një mision të qartë shoqëror – të krijojë një ekosistem kombëtar për aplikim të përgjegjshëm dhe të besueshëm të inteligjencës artificiale në pesë fusha prioritare: gjuha dhe kultura, shëndetësia, energjia, administrata publike dhe bujqësia.
“Qëllimi i këtij projekti është kryesisht zhvillimi sistematik i modeleve të gjuhës maqedonase dhe mbrojtja digjitale e trashëgimisë kulturore, analiza e të dhënave dhe përmirësimi i shërbimeve mjekësore, optimizimi i prodhimit dhe konsumit të energjisë, automatizimi i proceseve dhe rritja e transparencës dhe aplikimi i teknologjive inteligjente për prodhim modern dhe të qëndrueshëm”, thotë Andonovski.
Qendra do të funksionojë gjithashtu si një qendër për trajnimin dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor duke organizuar trajnime dhe programe edukative.
Andonovski u bëri ftesë publike institucioneve akademike dhe shkencore, si dhe sektorit privat, që të angazhohen aktivisht në këtë projekt kombëtar me dimension evropian.
Sot, Kryeministri Hristijan Mickoski tha gjithashtu se në Maqedoni do të hapet një fabrikë, ose qendër për zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Dje, presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, njoftoi se “fabrika të inteligjencës artificiale” po hapen në Maqedoni dhe Serbi, si pjesë e një iniciative më të gjerë për të përfshirë rajonin në zhvillimin teknologjik të Evropës.
“Po i përdorim këta super kompjuter për të zhvilluar zgjidhje evropiane të inteligjencës artificiale, po ngremë një rrjet fabrikash të AI në mbarë Evropën dhe këto janë vende, ku bizneset dhe startup-et tona mund të zhvillohen, të trajnohen e po kështu të dislokohen gjeneratat e tyre të ardhshme të AI dhe sot mund të deklaroj që ne do të hapim fabrikat tona të AI në Ballkanin Perëndimor. Do ta nisim me ngritjen e dy fabrikave në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi dhe do ta shtrijmë këtë shtyllë kurrizore digjitale me shpejtësi të lartë në të gjithë rajonin dhe kjo do të lejojë të gjitha kompanitë në të gjashta vendet partnere në të gjithë rajonin, të lidhen me këto fabrika, që do të thotë, fabrikat tuaja do të kenë mundësi t’i qasen infrastrukturës së inteligjencës artificiale evropiane këtu, në rajon. Me fjalë të tjera fuqia kompjuterike e Unionit do të jetë në shërbimin tuaj, ashtu siç dua që të bëhet e ardhmja e AI, pra të bëhet në Evropë, ashtu dua që edhe Ballkani Perëndimor të jetë në zemër të saj”, u shpreh Presidentja e Komisionit Evropian.