Nuk ka gabim mjekësor në trajtimin e lehonës nga Strumica, konstaton komisioni profesional
Komisioni për mbikëqyrjen e punës profesionale, i formuar nga ministri i Shëndetësisë për trajtimin e lehonës nga Strumica, njëzëri ka konstatuar se gjendja neurologjike e pacientes nuk është pasojë e anestezisë spinale të aplikuar gjatë lindjes, as e ndonjë gabimi mjekësor në cilindo institucion shëndetësor ku ajo është trajtuar, transmeton Portalb.mk.
Sipas gjetjeve të Komisionit, kujdesi gjatë shtatzënisë, referimi në Spitalin Klinik të Shtipit, lindja me prerje cezariane, anestezia dhe monitorimi pas operacionit janë kryer në përputhje me protokollet në fuqi dhe praktikën e mirë klinike.
“Anestezia spinale është dhënë në pjesën lumbale (të poshtme) të shtyllës kurrizore, me ilaç dhe dozë standarde, ndërsa ndryshimi në palcën kurrizore është konstatuar dukshëm më lart, në pjesën torakale. Ecuria pas operacionit ka qenë e rregullt, pacientja është lëshuar nga spitali pa simptoma neurologjike, ndërsa ato janë shfaqur disa ditë më vonë. Sipas Komisionit, shkaku më i mundshëm është një gjakderdhje spontane nga një malformacion i rrallë i enëve të gjakut në palcën kurrizore, i cili nuk mund të zbulohet me angiografi. Shkaku ende nuk është përcaktuar përfundimisht”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Komisioni rekomandon që, kur gjendja e pacientes ta lejojë, të përfundojë diagnostikimi për përcaktimin përfundimtar të shkakut, si dhe të vazhdojë rehabilitimi me monitorim të rregullt neurologjik.
“Kur një nënë e re pas lindjes përballet me pasoja të tilla, kemi për detyrë që asaj, familjes së saj dhe opinionit publik t’u japim një përgjigje të qartë dhe profesionale. Prandaj formuam një komision me ekspertë nga vendi dhe nga jashtë. Përfundimi i tyre është unanim – nuk ka pasur gabim mjekësor. Kjo nuk e zvogëlon peshën e asaj nëpër të cilën po kalon ajo. Ministria do të vazhdojë t’i sigurojë të gjithë mbështetjen e nevojshme në trajtimin dhe rehabilitimin e saj”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Komisioni u formua më 19 gusht 2026, me propozim të Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, me qëllim të vlerësimit të pavarur profesional të punës së punonjësve shëndetësorë në ISHP Spitali i Përgjithshëm Strumicë, ISHP Spitali Klinik Shtip dhe ISHP Klinika Universitare e Neurologjisë – Shkup. Në të morën pjesë pesë ekspertë nga specialitete të ndryshme, dy prej të cilëve nga jashtë vendit: dr. Igor Samardzijski, gjinekolog-obstetër, ISHP Klinika Universitare e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës – Shkup (kryetar); dr. Goran Rondoviq, anesteziolog, shef i Klinikës së Anesteziologjisë në Akademinë Mjekësore Ushtarake – Beograd; dr. Dejan Georgiev, neurolog, përgjegjës i Repartit të Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare – Lubjanë; dr. Miçun Miçunoviq, neurokirurg, ISHP Spitali Special „Shën Erazmo“ – Ohër; dhe dr. Dejan Daskallov, radiolog, ISHP Instituti Universitar i Radiologjisë – Shkup.
Ndryshe, 19 vjeçarja Stanka Mihajllova nga rrethi i Strumicës, pas lindjes me prerje cezariane në Spitalin e Shtipit përballet me pasoja shëndetësore dhe aktualisht është në karrocë invalidësh pasi nuk mund të ecë.