Nisi para votimeve, ngeci pas tyre: Rikonstruimi i rrugës së Xhepçishtit vazhdon të zvarritet
Rikonstruimi i rrugës kryesore në fshatin Xhepçisht të Tetovës filloi pak para zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, ndërsa gjysmë viti më vonë, punimet nuk kanë përfunduar ende si dhe nuk ka afat konkret kur pritet që ky projekt të përfundojë, shkruan Portalb.mk.
Liudhur me zvarritjen e punimeve, këshilltari komunal nga AKI-ja, Berat Murati i cili vjen nga fshati Xhepçisht, thotë se vonesa e asfaltimit të një pjese të rrugës në Xhepçisht lidhet drejtpërdrejt me punimet në rrjetin e ujësjellësit dhe me procesin e kyçjeve në kolektor. Ai thotë se për fat të keq, mungesa e planifikimit të duhur ka bërë që të vonohet jo vetëm përfundimi i rrjetit, por edhe asfaltimi i rrugës.
“Fillimisht, qytetarëve u ishte premtuar se kyçjet në rrjet dhe në kolektor do të realizoheshin në kuadër të projektit. Më vonë, kjo barrë iu transferua vetë banorëve, të cilët u detyruan të financojnë nga xhepi i tyre kyçjet në rrjet. Kjo ka krijuar pengesa dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në vonesën e asfaltimit. Duhet theksuar se në Xhepçisht nuk po ndërrohet i gjithë rrjeti i ujësjellësit dhe asfalltimi I gjithë fshatit por vetëm një segment prej rreth 600 metrash. Prandaj, edhe pse përshëndesim çdo investim në rrjet dhe asfaltim, është e qartë se kjo nuk është zgjidhje e plotë për nevojat e fshatit”, tha Murati.
Ai kërkon që punimet në rrjet të përfundojnë sa më shpejt dhe menjëherë pas tyre të realizohet asfaltimi i plotë i rrugës, pa vonesa të tjera dhe pa arsyetime shtesë.
“Xhepçishti meriton më shumë. Meriton një rrjet modern dhe tërësisht të rinovuar të ujësjellësit, kanalizim fekal dhe atmosferik sipas standardeve, si dhe asfaltim cilësor të rrugëve që nuk do të duhet të hapen përsëri pas pak muajsh. Qytetarët e Xhepçishtit nuk kanë nevojë për premtime të reja. Ata presin përfundimin e rrjetit dhe asfaltimin e rrugës, ashtu siç u është premtuar.”, tha Murati.
I pyetur për stërzgjatjen e këtij projekti, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se projekti është kompleks dhe për këtë ka edhe komplikime.
“Bëhet fjalë për një projekt pak më kompleks, domethënë nuk është vetëm asfaltimi i rrugës bëhet fjalë për të gjithë infrastrukturën përcjellëse nëntokësore me kanalizim fekal, atmosferik. Aty ka pasur edhe një gyp për ujitjen e fushës së fshatit, pra rregullimi i hapsirave tjera, trotuareve”, tha Kasami.
Ai shtoi se sipas informatave me kompanitë, punohet sipas dinamikës së paraparë, megjithatë nuk tregoi afat konkret se kur pritet që ky proces të përfundojë, tha se së shpejti pritet të ketë rezultate.
“Nuk është asfaltimi i një rruge por është një lloj sheshi për fshatin, ka më shumë elemente të projektit të cilat e komplikojnë procesin”, tha Kasami.
Komuna e Tetovës fillimisht më 22 tetor 2025 nënshkroi kontratë me ‘Pellagonia’ – Gostivar, për rikonstruimin e rrugës në fshatin Xhepçisht. Kontrata kap vlerën prej 36.794.553 denrë me TVSH (rreth 569 mijë euro). Kohëzgjatja e kontratës është për një vit.
Tre muaj më vonë, më 26 janar 2026, Komuna e Tetovës nënshkroi kontratë me ‘Eco-Peu’, firmë e cila vazhdimisht merr tendere nga komuna, për ndërtimin e rrejtit të kanalizimiz për ujërat fekale dh të ndotura për fshatin Poroj dhe Xhepçisht. Kontrata kap vlerën prej 29,996,921 denarë me TVSH (rreth 486 mijë euro). Kohëzgjatja e kontratës është për një vit.