U mburën se problemi me shkollën në Nerovë ishte zgjidhur, tani deputetët dhe VLEN-i hesht për ngecjen e punimeve

Edhe pse përfaqësues të VLEN-it deklaruan me pompozitet se çështja e objektit të ri të shkollës “Nikolla Karev” në Nerovë të Krushevës ishte zgjidhur, tani nuk japin përgjigje se çfarë është bërë për vazhdimin e punimeve. Objekti i ri ende nuk është përfunduar, ndërsa nxënësit shqiptarë vazhdojnë të mësojnë në objektin e vjetër të kësaj shkolle, shkruan Portalb.mk. Nga Komuna e Krushevës thonë se fillimisht duhet të përfundojë Plani Urbanistik, ndërsa nga Ministria e Arsimit thonë se këtë vit nuk është planifikuar investim për objektin.

Para rreth një viti, pas aktualizimit të problemit me shkollën në Nerovë, deputetë të VLEN-it, bashkë me ish zv.ministrin e Arsimit, Lulzim Aliu, vizituan fshatin dhe premtuan se do të angazhoheshin për zgjidhjen e problemit.

Pas zgjidhjes së statusit juridik të objektit të ri, VLEN-i e paraqiti këtë si rezultat të angazhimit të tij dhe si zgjidhje të problemit me shkollën.

Zgjidhja e paralajmëruar nga VLEN-i. Printscreen nga faqja e VLEN-it në Facebook.
Zgjidhja e paralajmëruar nga VLEN-i. Printscreen nga faqja e VLEN-it në Facebook.

Megjithatë, edhe pas këtij vendimi, punimet nuk kanë vazhduar. Nxënësit shqiptarë vazhdojnë ta ndjekin mësimin në objektin e vjetër, në kushte shumë të vështira.

Portalb.mk kërkoi nga përfaqësuesit e VLEN-it të sqarojnë se çfarë është bërë konkretisht pas deklaratave se problemi ishte zgjidhur dhe nëse ka ndonjë angazhim për vazhdimin e punimeve.

Fillimisht kontaktuam deputetët e VLEN-it që kishin vizituar Nerovën në atë kohë. Deputeti Bekim Qoku nuk iu përgjigj thirrjeve tona. Ndërsa deputetja Saranda Imeri Stafai, e cila ishte ndër zërat më aktivë gjatë përplasjeve për këtë çështje, na udhëzoi që përgjigjet t’i kërkonim nga Qendra për Media e VLEN-it.

Portalb.mk kontaktoi më pas shefin e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun të VLEN-it, Fari Hiseni. Edhe pse Hiseni tha se do t’u përgjigjeshin pyetjeve të Portalb.mk, deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë përgjigje.

Ndërkohë, nga Komuna e Krushevës thonë se objekti i ri është ndërtuar pa dokumentacion përkatës dhe se fillimisht duhet të përfundojë Plani Urbanistik për fshatin. Pas miratimit të tij, sipas komunës, do të përgatitet dokumentacioni projektues.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ndërkaq, për Portalb.mk kanë thënë se për këtë vit nuk është planifikuar investim për përfundimin e objektit të ri të shkollës në Nerovë.

Kështu, nxënësit e Nerovës vazhdojnë të presin për kushte më të mira mësimi, pa një afat të qartë për përfundimin e shkollës së re.