Nesër në Qeverinë e RMV-së do të shqyrtohet rebalanci i buxhetit, pritet të rritet deficiti për shkak investimeve kapitale

Ribalanci i Buxhetit do të shqyrtohet nesër në një seancë të Qeverisë, paralajmëroi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, duke bërë të ditur se do të ketë një korrigjim në rritje të deficitit buxhetor për shkak të nevojave të shtuara për financimin e investimeve kapitale, raporton MIA.

“Plani është që nesër, në seancën e rregullt të Qeverisë, të shqyrtohet ribalanci i Buxhetit. Ajo që në këtë moment mund të them është se do të kemi një korrigjim të caktuar të deficitit buxhetor në rritje dhe për herë të parë do të kemi rritje të deficitit buxhetor si rezultat i nevojave të shtuara për financimin e shpenzimeve kapitale, përkatësisht për investimet kapitale, gjë që mendoj se, në përputhje me Ligjin për buxhetet, i justifikon këto rrethana. Në të njëjtën kohë kemi edhe disa korrigjime në anën e të ardhurave, në pjesën e akcizës, për shkak të masave që kemi pasur në periudhën e kaluar”, deklaroi Dimitrieska-Koçoska në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.

Në përgjithësi, sqaroi ministrja e Financave, ka një rritje të shpenzimeve kapitale për infrastrukturë.

“Kemi rritje të shpenzimeve kapitale në pjesën e Ministrisë së Mjedisit Jetësor, kemi rreth disa projekte IPA, kemi rritje për programin AA, kështu që nesër do të informojmë në detaje saktë se cila institucion sa mjete shtesë ka për shpenzimet kapitale,” tha Dimitrieska-Koçoska.

E pyetur sa kanë kushtuar masat për uljen e TVSH-së dhe akcizave që kanë qenë në fuqi gjatë periudhës së kaluar, ministrja tha se akciza duhet të korrigjohet për rreth 1,5 miliardë denarë.

Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 10 dhjetor të vitit 2025-të e miratoi Buxhetin për vitin 2026 pas dy ditësh debat. 71 deputetë e mbështetën, 14 ishin kundër dhe nuk pati abstenime. Buxheti për vitin 2026 peshon rreth 6.7 miliardë euro dhe në të rritja e PBB-së parashikohet në 3.8 përqind, ndërsa inflacioni në 2.5 përqind. Të ardhurat totale duhet të arrijnë në 374.9 miliardë denarë, shpenzimet 414.2 miliardë denarë, ndërsa deficiti buxhetor 39.2 miliardë denarë ose 3.5 përqind e PBB-së së planifikuar.

Në buxhetin e vitit 2026-të ishte planifikuar një shumë prej 3,34 miliardë eurosh për transferime sociale, që paraqet një rritje prej 6,7%, 854 milionë euro do të shpenzohen për rroga, ose 7% më shumë se viti paraprak, dhe pothuajse 1,9 miliardë euro do të shpenzohen për pagesat e pensioneve, që paraqet një rritje prej 9,7% krahasuar me pozicionet fiskale për vitin paraprak.