Kuvendi i RMV-së miratoi Buxhetin për vitin 2026, peshon rreth 6.7 miliardë euro

Parlamenti sot miratoi Buxhetin për vitin 2026 pas dy ditësh debat. 71 deputetë e mbështetën, 14 ishin kundër dhe nuk pati abstenime. Buxheti për vitin 2026 peshon rreth 6.7 miliardë euro dhe në të rritja e PBB-së parashikohet në 3.8 përqind, ndërsa inflacioni në 2.5 përqind. Të ardhurat totale duhet të arrijnë në 374.9 miliardë denarë, shpenzimet 414.2 miliardë denarë, ndërsa deficiti buxhetor 39.2 miliardë denarë ose 3.5 përqind e PBB-së së planifikuar, transmeton Portalb.mk.

Për deputetët e qeverisë, ky buxhet ofron mbështetje për biznesin, mbron pensionistët duke rritur pensionet dhe sjell një valë të fortë infrastrukturore me ndërtimin e rrugëve, shkollave, kopshteve.

“Këto janë projekte reale që do t’u sjellin një jetë më të mirë qytetarëve”, thanë deputetët e qeverisë.

Sipas opozitës, Buxheti përmban parashikime joreale dhe shërben vetëm për të fituar pikë politike. Deputetët e opozitës theksuan se për herë të parë, pagesa e ndihmës sociale, kujdesit për të tjerët dhe pagesa e “TVSH-ja Ime” vonohen, dhe pagat kanë ngecur, megjithëse qeveria mburret me rritjen e PBB-së në tremujorin e tretë. Ata theksuan se kemi pagën minimale dhe mesatare më të ulët në rajon dhe akuzuan Qeverinë se nuk dëshiron të trajtojë problemin e rritjes së pagës minimale dhe për këtë arsye ua lë sindikatave dhe punëdhënësve të arrijnë marrëveshje.

Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, në prezantimin e saj para deputetëve dje, tha se parashikimet për vitin 2026 tregojnë vazhdimësi të stabilitetit dhe rritjes ekonomike, bazuar në politika fiskale të përgjegjshme, investime në infrastrukturë dhe kapital njerëzor, si dhe inkurajimin e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë vendase.

“Buxheti është përgatitur bazuar në rezultatet e arritura ekonomike dhe pritjet për vazhdimin e trendeve pozitive. Ne morëm parasysh realitetin në parashikime, ekonominë dhe efektivitetin në planifikim, me qëllim që të sigurojmë zhvillim të qëndrueshëm, funksionim të rregullt të institucioneve dhe pagesë në kohë të të gjitha detyrimeve. Ky Buxhet nuk është vetëm dokument me numra dhe tabela – është një mesazh ekonomik stabiliteti, besimi dhe zhvillimi. Një konfirmim i qartë i menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike që kemi krijuar dhe vazhdojmë me kapacitet të plotë”, tha Dimitrieska-Koçoska.

Gjatë debatit për buxhetin në Komisionin amë për Financa dhe Buxhet, u pranuan gjashtë amendamente nga rreth 200. Ato parashikojnë fonde për personelin e Agjencisë Operacionale-Teknike, rindërtimin dhe zgjerimin e mbikalimit në rrugën Shtip-Çardakli, hapjen e tre qendrave psikosociale për të rinjtë, pajisjen e shërbimeve të urgjencës me kuti të ndihmës së shpejtë dhe bombola oksigjeni, si dhe rindërtimin dhe dekorimin e brendshëm të sallës sportive në Shkollën Fillore “Goce Delçev” – Gostivar.

Vitin e ardhshëm, është planifikuar një shumë prej 3,34 miliardë eurosh për transferime sociale, që paraqet një rritje prej 6,7%, 854 milionë euro do të shpenzohen për rroga, ose 7% më shumë se këtë vit, dhe pothuajse 1,9 miliardë euro do të shpenzohen për pagesat e pensioneve, që paraqet një rritje prej 9,7% krahasuar me pozicionet fiskale për këtë vit.

Edhe vitin e ardhshëm parashikohet një përqindje e qëndrueshme e inflacioni prej 2,5%, ngjashëm me këtë vit, i cili, sipas Qeverisë, duhet të përfundojë me inflacion prej 2,8%.  Ndryshe nga vlerësimet e Qeverisë, disa ekonomistë, përmes Anketës së re të BPM-së, vlerësuan se ky vit do të përfundojë me inflacion prej 3,9%, e po ashtu edhe FMN-ja e ka të njëjtin parashikim në Raportin e ri Ekonomik, ndërsa edhe Guvernatori i BPM-së, Trajko Sllaveski pret inflacion më të lartë se 3%.