Dita e 23-të e protestës në Tiranë, një pjesë e qytetarëve të grumbulluar në shesh, tubuesit e tjerë të stacionuar para Kryeministrisë
Ka nisur në kryeqytet dita e 23-të e protestës jopartiake, raporton TopChannel. Një pjesë e qytetarëve janë grumbulluar në sheshin ‘Skënderbej’, ndërsa pjesa tjetër janë stacionuar para Kryeministrisë aty ku do të mbajnë edhe fjalimet si çdo ditë tjetër.
Qytetarët janë grumbulluar në orën 19:00 ashtu siç është njoftuar edhe ditë më parë për ndryshimin e orarit.
Kërkesat e qytetarëve vazhdojnë të jenë po ato që nga dita e parë, duke e shoqëruar tubimin e tyre me thirrje si: Rama n’burg, Berisha n’burg.
Një pjesë e protestuesve kanë vendosur të qëndrojnë për 24 orë para Kryeministrisë që prej protestës kombëtare të së shtunës.
Protestuesit të cilët ndodheshin në shesh kanë nisur marshimin duke kaluar edhe pranë ‘Fan Zone’ në qendër të Tiranës.
“Ne po bëjmë revolucion, s’ka Botëror që na ndalon”, ishte thirrja e protestuesve ndërsa kalonin pranë ‘Fan Zone’.
Ndërkohë një nga folësit me megafon ka lajmëruar se nesër në orën 10:00 do të mbajnë një tjetër kryengritjen para Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, duke ftuar edhe sindikatat për t’u solidarizuar me ta.