Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e miratoi kredinë në vlerë 260 milionë euro

Me 65 vota “pro”, 14 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi sot miratoi ligjin për huamarrje për nevojat e Buxhetit të përgjithshëm në vlerë prej 260 milionë eurosh. Siç deklaroi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankulovski, kredia do të përdoret për nevojat e Buxhetit të përgjithshëm, për financimin e projekteve të infrastrukturës kapitale dhe për shlyerjen e borxheve të vjetra, përfshirë eurobonon prej 700 milionë eurosh të marrë në vitin 2020, raporton MIA.

Norma e interesit do të jetë e ndryshueshme, e llogaritur në bazë të EURIBOR gjashtëmujor të rritur për 2,1 përqind. Maqedonia do të marrë hua nga KfW IPEX Bank GmbH, Banco Bilbao Vizcaya Argentaria, Erste Group Bank AG, AKA Ausführkredit-Gesellschaft mbH dhe Merrill Lynch International, kredia do të tërhiqet në një transh në përputhje me kushtet dhe afatet e përcaktuara në Marrëveshje, ndërsa periudha e shlyerjes është shtatë vjet, në nëntë këste të barabarta gjysmëvjetore, duke përfshirë një periudhë mospagimi prej tre vjetësh. Maqedonia do t’u paguajë huadhënësve një komision të njëhershëm në shumën prej 1.4 për qind të vlerës së kredisë, dhe do t’i paguajë agjentit të huadhënësve një komision prej 12.500 eurosh në vit.

Opozita, e cila ishte kundër këtij Ligji, vlerësoi se kredia është dëshmi e rraskapitjes fiskale të shtetit dhe e një buxheti që po e ka gjithnjë e më të vështirë të ruajë likuiditetin e vet.

Pas kësaj pike, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, e ndërpreu seancën sepse, tha ai, nuk kishte kushte për punë në pikën 14. Deputetët do të informohen shtesë për vazhdimin e seancës së 102-të.