Nesër do të ketë kufizime në rrugët e Shkupit

Polici e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar qytetarët e Shkupit që do të ketë kufizime në komunikacion për shkak vizitës zyrtare të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, transmeton Portalb.mk.

Kufizimet pritet të prekin bulevardin “Aleksandri i Maqedonisë”, “Goce Dellçev”, “Klimenti i Ohrit”, rrugën “Bellasica”, “Franklin Ruzvelt”, “Orce Nikollov” dhe “Teodosi Gologanov”.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar që të enjten në Maqedoninë e Veriut pritet të jetë për vizitë zyrtare kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

“Vizita zyrtare e Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të jetë më 6 korrik të vitit 2023 (e enjte), në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku Kryeministri i Shqipërisë Rama do të pritet me nderimet më të larta shtetërore”, njoftojnë nga Qeveria e RMV-së, duke shtuar që Rama do të pritet nga kryeministri vendas, Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të takohet me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, në një takim që është jashtë mbledhjes së dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila u anulua nga kryeministri Rama në qershor.