Me vizitën e tij në Shkup të enjten, Rama nis turin ballkanik

Me vizitën në Shkup të enjten, më 6 korrik, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nis turin dyditor nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata në veri të Kosovës, nisma “Ballkani i hapur” dhe procesi i Berlinit janë temat që do të jenë në fokus të bisedimeve mes kryeministrit shqiptar dhe kolegëve të tij, transmeton Portalb.mk.

Rama do ta nisë turin ballkanik me një vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku do të ketë takim me kryeministrin maqedonas Dimitar Kovaçevski. Nga Shkupi, të njëjtën ditë kryeministri shqiptar do të niset për në Prishtinë, ku do të ketë takim me kryeministrin Albin Kurti.

Të premten Rama niset për në Beograd, ku pritet të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Ai do të vizitojë gjithashtu Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën për të diskutuar me kryeministrat e atjeshëm rëndësinë e stabilitetit në rajon dhe tensionet e fundit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.