Kurti nuk do të takohet me Edi Ramën jashtë mbledhjes së dy qeverive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të takohet me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, në një takim që është jashtë mbledhjes së dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila u anulua nga kryeministri Rama në qershor, raporton Anadolu.

Kurti tha se mbledhja e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë e cila planifikohej të mbahej më 14 qershor në qytetin e Gjakovës, u anulua pa arsye “ndonëse ishte paraparë muaj më parë dhe të gjitha përgatitjet ishin bërë dhe ku do të duhej të nënshkruheshin 13 marrëveshje”.

Kurti tha se i ka propozuar kryeministrit Rama që meqë po vjen këtë javë në Kosovë, të mbahet edhe mbledhja e dy qeverive dhe të nënshkruhen marrëveshjet në sirtar.

“Nëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, atëherë unë ngelem te qëndrimi që ia kam dhënë, se për takime të ne të dyve, ne kemi kontakt të drejtpërdrejtë, ne takohemi shumë shpesh, nëse shikoni, gjatë dy vjetëve që jam në qeverisje i kam një duzinë takimesh me kryeministrin Rama. Nuk lëngon raporti Kosovë-Shqipëri, por edhe demokracia, paqja e siguria në Ballkan pse nuk takohet kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë, por për shkak se mbledhjet e të dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm. Andaj, unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, por jo edhe takime të tjera”, tha Kurti.

Kryeministri Rama do të qëndrojë në Kosovës të enjten, në një turne ballkanik në përgatitje të Samitit të radhës në kuadër të Procesit të Berlinit që do të mbahet në mes të muajit tetor, në Tiranë.

Kurti tha se është mirë kur bëhen herët përgatitjet për takime të tilla nga ana e Shqipërisë, “por përderisa i bëjmë këto përgatitje kaq herët, të mos vonohemi me një anulim të paarsyeshëm të mbledhjes së dy qeverive”.