Nesër do të jepet premiera e komedisë “Dramë për të qeshë” në Teatrin e Tetovës

Nesër, më 17 dhjetor, në Teatrin e Tetovës, do të jepet premiera e shfaqjes “Dramë për të qeshë”, një komedi e re që vjen me autor dhe regjisor Sulë Rushiti-Korbi. Kjo vepër teatrore sjell një qasje ndaj humorit, duke përdorur situata të përditshme, karaktere të veçanta dhe dialogë të mprehtë që prekin realitetin tonë shoqëror, por gjithmonë me një dozë të shëndetshme të ironisë dhe të qeshurës, shkruan Portalb.mk.

Publiku do të ketë mundësi të ndjekë një histori dinamike, të ndërthurur me momente të papritura, ku aktorët përmes lojës së tyre sjellin në skenë energji, ritëm dhe një atmosferë që premton argëtim të pastër.

Asistentja e regjisë Linda Shabani sot në konferencë për shtyp tha se me këtë shfaqje duan të përcjellin mesazhin se jo gjithnjë luftohet për karrige role apo poste sepse nuk janë të përhershme.

“Teksti ‘Dramë për të qesh’ është shkruar nga profesori Sulejman Rushiti dhe ka të bëj me aktualitetin e sotëm. Ka përplasje karakteresh përplasje egosh apo lufta për pushtet. Me këtë shfaqje duam të përcjellim mesazhin se jo gjithnjë luftohet për karrige role apo poste sepse nuk janë të përhershme. Ka shumë situata komike dhe besoj që do e pëlqej publiku”, u shpreh Shabani.

Aktori Arsim Kaleci, tha se interpreton një aktor që e ka vënë politikën mbi artin, ku besnikëria ndaj partisë vlen më shumë se roli dhe vetë teatri.

“Në këtë shfaqje janë një mori karakteresh të luajtura me mjeshtëri nga kolegët aktor, karaktere që më hyrje daljet e tyre dhe situatat apo dialogët komike që bëjnë mbajnë pezull vëmendjen e publikut, një ndër këto karaktere jam unë, pra një aktor që ka bë karrierë përmes mbështetjes së partive politike, pra e ka shpirtin e shitur si njeri dhe artist tek politika, dhe për të më e rëndësishme është vetë kryetari i partisë se sa roli apo shfaqja dhe vetë teatri”, u shpreh Kaleci.

Regjisori Sulë Rushiti Korbi, me këtë premierë synon t’i japë publikut një përvojë të paharrueshme teatrore, duke e çuar humorin në një nivel të ri artistik.

“Dramë për të qesh” është një shfaqje që, përmes ngjarjeve brenda një teatri ku duhet të ringjallen personazhet e Shekspirit përmes një adaptimi postmodern, e zbërthen dramën e aktorëve, punonjësve të teatrit, spektatorëve dhe pushtetarëve, një mozaik njerëzor që jeton paralelisht me shfaqjen që pret të luhet.

Në skenë defilon një paletë e larmishme karakteresh, të cilët përplasen me një varg të papriturash që lindin të tjera të papritura, duke krijuar situata komike, absurde, por thellësisht njerëzore. Në këtë lojë të dendur tensioni e humori, shpërfaqen klishetë ndaj artistëve, përplasjet mes egove, marrëdhëniet e brishta me pushtetin dhe lufta e përhershme për hapësirë e ndikim.

Shfaqja pasqyron shoqërinë tonë përmes një kohe skenike që rrjedh saktësisht njësoj si koha reale, ku personazhet e botës së përditshme ndërhyjnë në botën e fikcionit, duke shkrirë kufijtë mes asaj që jetojmë dhe asaj që interpretojmë”, bëjnë të ditur nga faqja zyrtare e Teatrit të Tetovës.

Në shfaqje luajnë aktorët: Arsim Kaleci, She Ilazi, Petrit Neziri, Ermal Çanga, Arta Zejneli, Elmir Sejfullai, Sami Mustafa, Abdulla Osmani Bekim Jahiu, Linda Shabani dhe Hasim Memishi Sopi.

Afishja e shfaqjes “Dramë për të qeshë”. Foto: Teatri i Tetovës (Facebook)
Afishja e shfaqjes “Dramë për të qeshë”. Foto: Teatri i Tetovës (Facebook)